| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria e Bosnjë e Hercegovina forcojnë bashkëpunimin, theksohet rëndësia e stabilitetit në rajon
"U dakorduam se paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon duhet të mbizotërojnë dhe të mbeten prioritete kryesore, veçanërisht në dritën e sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor", tha ministri Hoxha.
Shqipëria e Bosnjë e Hercegovina forcojnë bashkëpunimin, theksohet rëndësia e stabilitetit në rajon
Shqipëria e Bosnjë e Hercegovina forcojnë bashkëpunimin, theksohet rëndësia e stabilitetit në rajon / AA
17 orë më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e tij nga Bosnjë e Hercegovina, Elmedin Konakoviq.

Siç ka njoftuar Hoxha nëpërmjet rrjetit social "X", palët riafirmuan përkushtimin e përbashkët për t’i forcuar marrëdhëniet dhe për ta thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë.

"U dakorduam se paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon duhet të mbizotërojnë dhe të mbeten prioritete kryesore, veçanërisht në dritën e sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivës së ripërtërirë, të besueshme dhe konkrete të Bashkimit Evropian (BE) për rajonin", shkroi Hoxha.

Ai tha se Shqipëria rithekson mbështetjen e saj të fortë dhe të palëkundur për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, duke dënuar fuqishëm çdo formë të separatizmit apo veprim që cenon rendin kushtetues të vendit.

"Ne ndajmë qëndrimin se integrimi në BE mbetet një shtytës kyç për zhvillim të qëndrueshëm, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Të dyja vendet tona mbeten plotësisht të përkushtuara për të avancuar në këtë rrugë të përbashkët evropiane përmes reformave, bashkëpunimit më të ngushtë dhe përafrimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) si dhe me vlerat dhe standardet e BE-së", theksoi Hoxha.

Ministrat shprehën gatishmërinë për ta vazhduar koordinimin dhe dialogun e afërt edhe në periudhën në vijim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë