Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi mbajti fjalim në ditën e parë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së, që po mbahet në Kopenhagë më 4 dhe 5 maj 2026.
Sipas një njoftimi të Kuvendit, në fjalimin e tij, në hyrje të temës është theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një domosdoshmëri strategjike dhe qëllim politik, që kërkon përmbushjen e standardeve të rrepta për stabilitet, demokraci dhe besueshmëri.
“Sot kam nderin të flas për zgjerimin e BE-së dhe bashkëpunimin parlamentar, nga perspektiva e Republikës së Maqedonisë së Veriut, një vend kandidat i përkushtuar fort për t'u bashkuar me familjen evropiane”, tha ai.
Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit është kompleks dhe kërkon reforma të thella në administratën publike, sistemin gjyqësor dhe ekonominë, duke shtuar se këto sfida pranohen si të domosdoshme për të ardhmen e vendit.
Gashi gjithashtu vuri në dukje se anulimet, ndryshimet e kritereve dhe skepticizmi brenda BE-së kanë shkaktuar lodhje dhe frustrim, duke vënë në pikëpyetje besimin që nxit përpjekjet e vendit.
“Por, përkushtimi ynë mbetet i fortë. Kërkojmë një proces të progresit që është i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita”, theksoi ai.
Duke folur për rolin e parlamenteve, Gashi tha se ato janë thelbësore në procesin e zgjerimit përmes bashkëpunimit ndërparlamentar, ndarjes së ekspertizës dhe ndërtimit të besimit si dhe në formësimin e opinionit publik në favor të zgjerimit.
Në përfundim, ai shprehu shpresën se BE-ja do t'u përgjigjet rrethanave të reja gjeostrategjike me vizion dhe vendosmëri, duke e bërë zgjerimin një element kyç të së ardhmes së saj.




















