Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, me rastin e marrjes së detyrës.
Në letrën e tij, presidenti Van der Bellen ka vlerësuar marrëdhëniet e thella ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të cilat janë ndërtuar mbi bashkëpunimin politik, ekonomik dhe kulturor, si dhe lidhjet e ngushta ndërmjet qytetarëve të të dyja vendeve.
Presidenti Van der Bellen e ka theksuar rëndësinë e komunitetit kosovar në Austri, duke e cilësuar atë si të integruar mirë dhe aktiv në shoqërinë austriake.
Ai e ka shprehur bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të thellohen edhe më tej, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku në forcimin e këtyre lidhjeve, në të mirë të së ardhmes së përbashkët evropiane.
Duke riafirmuar përkushtimin e Austrisë ndaj integrimit evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, presidenti Van der Bellen ka siguruar se Austria do të vazhdojë ta mbështesë përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe rrugën e saj të reformave.




















