Llavrov: Rusia beson se ShBA-ja dëshiron sinqerisht t’i japë fund konfliktit në Ukrainë

Ministri i Jashtëm rus thotë se Moska ka bërë “kompromise serioze” për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

By
Llavrov: Rusia beson se ShBA-ja dëshiron sinqerisht t’i japë fund konfliktit në Ukrainë / Reuters

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Llavrov, deklaroi të enjten se Rusia nuk sheh arsye për të dyshuar se negociatat për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, ku është përfshirë edhe SHBA-ja, janë një “perde tymi”.

Duke folur në një tryezë të rrumbullakët me ambasadorë për çështjet ukrainase në Moskë, Llavrov tha se ky përshtypje është krijuar bazuar në rezultatet e negociatave me palën amerikane.

“Aktualisht po zhvillojmë bisedime edhe me kolegët tanë amerikanë, të cilët ndihmojnë në dialogun me Ukrainën, ndërsa janë mbajtur edhe disa raunde trilaterale. Së fundmi, edhe në Abu Dhabi – për çka jemi sinqerisht mirënjohës ndaj miqve tanë nga Emiratet – si dhe në Gjenevë. Aktualisht nuk shohim arsye për të dyshuar se edhe këto negociata janë një ‘perde tymi’”, tha ministri rus.

Sipas tij, Rusia ka bërë “kompromise serioze” gjatë takimit presidencial ruso-amerikan në Anchorage të Alaskës në gushtin e kaluar.

“Presidenti rus Vladimir Putin ka komentuar disa herë se ne kemi pranuar propozimet (e presidentit amerikan Donald Trump dhe ekipit të tij negociator në Anchorage), përfshirë edhe ato aspekte të propozimeve që për ne përbëjnë tashmë një kompromis serioz”, tha ai.

Megjithatë, sipas Lavrovit, ukrainasit dhe evropianët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të rishikuar dhe ndryshuar marrëveshjet e arritura në Anchorage.

Lavrov dënoi sulmet ukrainase ndaj tankerëve që transportojnë burime energjetike ruse dhe theksoi se, sipas informacioneve të shërbimeve të inteligjencës, Kievi planifikon sulme ndaj gazsjellësve TurkStream dhe Blue Stream.

Ai akuzoi gjithashtu Uashingtonin dhe Londrën se po zhvillojnë infrastrukturë në Ukrainë për kryerjen e sulmeve kibernetike.

Ministri rus pretendoi gjithashtu se kompani të mëdha perëndimore, përfshirë Google, Microsoft, Amazon dhe SpaceX të Elon Musk, sponsorizojnë hapur aktivitetet e hakerëve ukrainas.