Stuhitë e shiut shkatërrojnë Meksikën, 27 të vdekur nga rrëshqitja e dheut
Marina meksikane po kërkon për banorë të bllokuar në Poza Rica, pasi reshjet e dendura dhe dalja nga shtrati e lumit Cazones kanë përmbytur pjesën më të madhe të qytetit në shtetin Veracruz.
Reshjet e dendura në Meksikë kanë shkaktuar disa rrëshqitje dheu, ndërprerje të energjisë elektrike në disa bashki dhe kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati.
Sipas autoriteteve, reshjet e fuqishme kanë lënë të paktën 27 persona të vdekur dhe disa të zhdukur.
Autoritetet e mbrojtjes civile në Hidalgo raportuan 16 viktima, ndërsa mbi 1.000 shtëpi dhe qindra shkolla janë dëmtuar.
Guvernatori i Pueblas, Alejandro Armenta, tha se nëntë persona kanë humbur jetën nga rrëshqitjet e dheut dhe incidente të tjera të shkaktuara nga shiu, ndërsa pesë të tjerë rezultojnë të zhdukur. Dy vdekje të tjera janë raportuar në Veracruz.
“Po punojmë për të ndihmuar popullsinë, për të hapur rrugët dhe për të rikthyer energjinë elektrike”, deklaroi Presidentja Claudia Sheinbaum, në një postim në X, duke ndarë foto të ekipeve të emergjencës që bartnin ndihma përmes ujërave të përmbytura.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka zhvendosur mbi 5.400 trupa për të ndihmuar në monitorimin, evakuimin dhe pastrimin e zonave të prekura.
Ndërkohë, stuhitë Raymond dhe Priscilla kanë shkaktuar reshje të dendura edhe në gadishullin Baja California dhe përgjatë bregdetit perëndimor të Paqësorit, duke shtuar rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.