| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti: Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave
Kurti gjatë takimit me presidentin Costa ka konsideruar që me progresin e shënuar në vitet e fundit Kosova është e gatshme për statusin kandidat në BE dhe hapjen e negociatave.
Kurti: Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave
Kurti: Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme.

Kurti vlerësoi se Bashkimi Evropian (BE) mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e BE-së, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.

“Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thuhet në komunikatë.

Kurti gjatë takimit me presidentin Costa ka konsideruar që me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik “Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”.

Kjo ishte vizita e dytë e presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë