Kreu i partisë izraelite Demokratët, Yair Golan, paralajmëroi të dielën se kryeministri Benjamin Netanyahu mund të shfrytëzojë një sulm të ri ushtarak ndaj Iranit për të qëndruar në pushtet, në mes të pasigurisë politike pas zgjedhjeve të javës së kaluar.
“Gjasat për një tjetër raund luftimesh me Iranin po rriten”, shkroi Golan në platformën sociale amerikane X.
“Kemi arritur në një pikë të raundeve të përsëritura të luftës me Iranin dhe kjo tregon se sa shumë ka dështuar Netanyahu”, shtoi ai.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur mediat izraelite dhe amerikane kanë raportuar se Izraeli dhe Washingtoni mund të nisin një tjetër sulm ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA, të planifikuara për të martën, më 3 nëntor.
Golan tha se Netanyahut “i mungon legjitimiteti moral, madje edhe aftësia bazë” për të menaxhuar një tjetër konflikt me Iranin.
Ai bëri thirrje për formimin e një qeverie alternative, duke paralajmëruar se siguria e Izraelit mund të rrezikohet nën udhëheqjen e Netanyahut.
Golan tha se formimi i një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur është “me rëndësi të jashtëzakonshme, pasi siguria e Izraelit dhe e qytetarëve të tij janë në rrezik”.
Paralajmërimi vjen pasi as blloku i Netanyahut dhe as partitë opozitare nuk arritën të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të vendeve për të formuar qeverinë në zgjedhjet parlamentare të së martës së kaluar.
Rezultatet paraprake treguan se blloku i Netanyahut fitoi 53 vende në Knesset, parlamentin me 120 vende, krahasuar me 48 vende të partive opozitare hebraike dhe 19 të partive palestineze.
Rezultatet bënë që të gjitha blloqet të mbeten nën pragun prej 61 vendesh të nevojshme për shumicën parlamentare.
Rezultatet e papërcaktuara të zgjedhjeve kanë lënë të hapura disa skenarë të mundshëm, përfshirë një qeveri të mbështetur nga partitë palestineze, një qeveri të unitetit ose mbajtjen e zgjedhjeve të tjera.
– Netanyahu përballet me gjyq për korrupsion dhe urdhërarreste të GjNP-së
Netanyahu, 76 vjeç, përballet me një proces gjyqësor në vazhdim për korrupsion, ku akuzohet për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit, vepra për të cilat mund të dënohet me burgim nëse shpallet fajtor.
Ai është gjithashtu në kërkim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) që nga viti 2024, nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj palestinezëve gjatë luftës së Izraelit në Gaza, e cila nisi në tetor të vitit 2023.























