Tre terroristë neutralizohen pas shkëmbimit të zjarrit pranë Konsullatës izraelite në Stamboll

Autoritetet turke kanë nisur një hetim të gjerë pas një përplasjeje me armë, ku u plagosën dy policë në distriktin Beshiktash.

By
Ministri i Brendshëm: Tre terroristë neutralizohen pas shkëmbimit të zjarrit pranë konsullatës izraelite në Istanbul / AA

Ministri i Punëve të Brendshme të Türkiyes, Mustafa Çiftçi, njoftoi të martën se një shkëmbim zjarri shpërtheu pranë Konsullatës së Izraelit në distriktin Beshiktash të Stambollit, ku tre të dyshuar të armatosur u neutralizuan dhe dy policë u plagosën.

Ai tha se të dyshuarit hapën zjarr ndaj policisë jashtë kompleksit “Yapı Kredi Plaza”, duke shkaktuar një përleshje me armë, ku të tre sulmuesit u “neutralizuan”. Oficerët e plagosur pësuan vetëm lëndime të lehta.

Ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, tha se prokurorët nisën menjëherë një hetim për raportimet e mëparshme për të shtënat me armë në zonë, duke dërguar një zv/kryeprokuror dhe dy prokurorë në vendngjarje.

Prefekti i Stambollit, Davut Gül, tha se Konsullata izraelite, e vendosur brenda kompleksit “Yapı Kredi Plaza”, ka qenë e mbyllur prej dy vjet e gjysmë.

Të dyshuarit identifikohen, lidhjet po hetohen

Autoritetet thanë se të dyshuarit kishin udhëtuar nga Izmiti drejt Stambollit me një automjet me qira. Njëri prej tyre kishte lidhje me një grup që akuzohet për shfrytëzim fetar, ndërsa tjetri – një nga dy vëllezërit mes të dyshuarve – kishte dosje të mëparshme lidhur me drogën.

Zyrtarët thanë se hetimi po kryhet në koordinim të ngushtë me organet e zbatimit të ligjit, me fokus në zbardhjen e plotë të motiveve dhe shkallës së mundshme të këtij sulmi.