Prifti dhe imami në sofrën e iftarit: E ardhmja e Bosnjës e Hercegovinës është në bashkëjetesë

Në iftarin e përbashkët me banorët e fshatit Shçipë, në Bosnjë e Hercegovinë në të njëjtën tryezë u ulën imami lokal Mufid ef. Hero dhe prifti Branko Juriç,

By
Prifti dhe imami në sofrën e iftarit: E ardhmja e Bosnjës e Hercegovinës është në bashkëjetesë / AA

Ndërsa bota përballet me valë të reja konfliktesh dhe trazirash, fshati i vogël Shçipë pranë qytetit boshnjak të Prozorit është bërë qendër e një mesazhi të fuqishëm paqeje, bashkëjetese dhe dialogu ndërfetar. Në iftarin e përbashkët me banorët e Shçipës, në të njëjtën sofër u ulën imami lokal Mufid ef. Hero dhe prifti Branko Juri.

Juriç, nëna e të cilit është me origjinë nga Shçipa, vitin e kaluar ishte organizatori i një tubimi të ngjashëm në këtë fshat, ndërsa këtë vit organizimin e morën vetë banorët dhe vendosën të ftojnë në iftar edhe priftin Juriç dhe efendinë Hero.

Dy shërbyesit fetarë, së bashku në sofrën e iftarit, rikujtuan se dialogu, respekti i ndërsjellë dhe afërsia njerëzore janë themeli i një shoqërie të qëndrueshme, por edhe konfirmuan imazhin e Bosnje e Hercegovinës siç e trashëgojnë banorët e saj prej shekujsh, atë në të cilin, siç theksuan edhe vetë, si e mira ashtu edhe e keqja ndahen me fqinjët.

Pamjet nga Shçipa konfirmojnë se shenjtëria e agjërimit në Bosnje e Hercegovinë, qoftë e Ramazanit apo e Kreshmëve, gjithmonë është matur me gjerësinë e zemrës ndaj tjetrit.

Kjo është pamja e një vendi që prej shekujsh mbijeton mbi zakonin e bukur të solidaritetit dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët.

Solidaritet përmes agjërimit

Prifti Branko Juriç në një bisedë për Anadolu thekson se pamje të tilla duhet të jenë të zakonshme në Bosnje e Hercegovinë.

“Besoj se kjo duhet të jetë diçka normale në vendin tonë ku prej shekujsh jetojmë së bashku. Si përfaqësues fetarë, ne duhet të jemi të parët që t’u tregojmë njerëzve se duhet të bashkëpunojnë, të jenë miq dhe të ndajnë të mirën, por edhe të keqen nëse na godet”, tha Juriç.

Ai bëri një krahasim mes agjërimit katolik dhe atij islam, duke theksuar se thelbi i të dy sakrificave është i njëjtë, të ndjehet mungesa në mënyrë që të solidarizohemi me ata që nuk kanë.

Në kontekstin e konflikteve aktuale në Lindjen e Mesme, Juriç thekson rëndësinë e ndërtimit të paqes, duke nënvizuar se ajo nuk është një gjendje statike që vjen vetvetiu.

“Paqja ndërtohet nga dita në ditë. Ne që kemi përjetuar luftën në Bosnje e Hercegovinë duhet ta vlerësojmë më shumë paqen dhe të punojmë për të, e jo të jemi pasivë”, theksoi Juriç, duke shtuar se është një humbje për njerëzimin fakti që sot po dëshmojmë vatra të reja lufte.

Për të dy shërbyesit fetarë, fakti që Ramazani dhe Kreshmët zhvillohen në të njëjtën kohë nuk është rastësi, por një mundësi për mirëkuptim më të madh mes njerëzve. Mesazhi nga fshati Shçipë është i qartë: e ardhmja është në bashkëjetesë, sepse “njëri pa tjetrin nuk mundemi”.

E ardhmja në bashkëjetesë

Edhe efendia Hero vlerësoi se mesazhi nga Shçipa ka një simbolikë të fortë, veçanërisht për Bosnje e Hercegovinën.

“Mesazhi është shumë domethënës dhe duhet të ketë ndikim në zhvillimet e sotme, veçanërisht në botë. Dëshira ime më e madhe është që ngjarje të tilla të kontribuojnë në bukurinë e jetës në Bosnje e Hercegovinë dhe të tregojnë se bashkëjetesa është e mundur. Veçanërisht është e rëndësishme që brezat e rinj të marrin shembull nga raste të tilla”, tha Hero.

Ai theksoi se marrëdhëniet mes njerëzve në mjedisin e tyre, në Prozor, janë jashtëzakonisht të mira dhe se jeta e përbashkët dhe bashkëpunimi janë pjesë e përditshmërisë.

Duke folur për faktin se edhe këtë vit Ramazani dhe Kreshmët përkojnë në të njëjtën kohë, Hero tha se kjo është një mesazh i fuqishëm për besimtarët që të afrohen dhe të njohin vlerat e përbashkëta.

“E ardhmja jonë është në bashkëjetesë. Njëri pa tjetrin nuk mundemi. Duhet të kultivojmë atë që është e jona dhe të respektojmë atë që është e të tjerëve, sepse vetëm përmes së mirës mund të ndërtojmë një të ardhme të suksesshme”, porositi ai.

Iftari i përbashkët në Shçipë konfirmoi edhe një herë se paqja, dialogu dhe respekti i ndërsjellë janë vlera të qëndrueshme të shoqërisë së Bosnje e Hercegovinës.

Iftari në Shçipë u organizua edhe si përmbyllje simbolike e një aksioni disa ditor për pastrimin e fshatit, ndërsa organizatorët deshën të dërgojnë një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe forcimin e ndërgjegjësimit ekologjik, si dhe njëkohësisht t’i urojnë atdheut Ditën e Pavarësisë së Bosnjës e Hercegovinës.