| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Ligjvënës amerikanë kërkojnë heqjen e Sirisë nga lista e shteteve sponsore të terrorizmit
Ata i dërguan letrën sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, duke i kërkuar atij ta heqë përcaktimin e Sirisë si shtet sponsor i terrorizmit, një listë ku aktualisht ajo renditet përkrah Iranit, Kubës dhe Koresë së Veriut.
Ligjvënës amerikanë kërkojnë heqjen e Sirisë nga lista e shteteve sponsore të terrorizmit
Ligjvënës amerikanë kërkojnë heqjen e Sirisë nga lista e shteteve sponsore të terrorizmit / AA

Një treshe ligjvënësish amerikanë nga të dy partitë po i bëjnë presion Departamentit të Shtetit që ta heqë Sirinë nga lista amerikane e shteteve sponsore të terrorizmit, duke argumentuar në një letër të hapur se bazat ligjore për këtë përcaktim nuk vlejnë më pas rënies së regjimit të Assadit më shumë se 18 muaj më parë, transmeton Anadolu.

Ata i dërguan letrën sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, duke i kërkuar atij ta heqë përcaktimin e Sirisë si shtet sponsor i terrorizmit, një listë ku aktualisht ajo renditet përkrah Iranit, Kubës dhe Koresë së Veriut.

Ligjvënësit janë anëtarja demokrate me rangun më të lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Jeanne Shaheen nga New Hampshire, kongresmeni republikan Joe Wilson nga Karolina e Jugut, si dhe anëtarja demokrate me rangun më të lartë në Komitetin Bankar të Senatit, Elizabeth Warren nga Massachusetts.

“Që nga rënia e regjimit të Assadit, presidenti Ahmed al-Sharaa dhe qeveria e re siriane kanë demonstruar një angazhim të vazhdueshëm ndaj operacioneve kundër terrorizmit brenda Sirisë”, shkruan ligjvënësit në letër.

Ata theksuan se Damasku i është bashkuar koalicionit të udhëhequr nga ShBA-ja për mposhtjen e DEASH-it dhe ka vazhduar bashkëpunimin kundër terrorizmit me Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).

Ligjvënësit thanë se ky përcaktim është bërë “pengesa më e rëndësishme ligjore e mbetur” për rindërtimin e Sirisë, duke shtuar se heqja nga lista “mund të krijojë mundësi të reja për investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe ngritje kapacitetesh, për të siguruar që sirianët të mbeten partnerë të aftë dhe të gatshëm të ShBA-së”.

Deklarata vjen në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump vazhdon të shqyrtojë mundësinë e heqjes së Sirisë nga lista e terrorizmit pas rrëzimit të regjimit të Assadit në dhjetor të vitit 2024 dhe krijimit të një qeverie të re të udhëhequr nga presidenti al-Sharaa.

Më herët gjatë kësaj jave, një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha për Anadolu se “shqyrtimi vazhdon dhe po zhvillohet në përputhje me ligjet dhe kriteret e përcaktuara nga Kongresi”. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, refuzoi të japë një afat kohor. 

“Ekzistojnë një sërë hapash që duhet të ndërmerren si nga departamenti ashtu edhe nga presidenti përpara se ky përcaktim të mund të hiqet”, tha ai.

Siria e mban këtë përcaktim që nga viti 1979, një status që ndahet vetëm me Kubën, Korenë e Veriut dhe Iranin. Ky klasifikim sjell kufizime në ndihmën për sigurinë, transaksionet financiare dhe investimet e huaja.

Presidenti al-Sharaa vizitoi Shtëpinë e Bardhë në nëntor të vitit të kaluar, vizita e parë e një kreu shteti sirian që nga pavarësia e vendit në vitin 1946, ndërsa më herët ishte takuar me presidentin Trump në Riad në maj të vitit 2025, pak para heqjes së sanksioneve Cezarit nga Washingtoni, megjithatë përcaktimi i Sirisë si shtet sponsor i terrorizmit ka mbetur ende në fuqi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë