Gjermania e shqetësuar lidhur me deklaratën e Trumpit për NATO-n
Kryediplomati gjerman Wadephul shprehu shqetësim lidhur me komentet e fundit të presidentit amerikan Trump për tërheqje të mundshme të ShBA-së nga NATO ndërsa shprehu besim se aleanca do të vazhdojë.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul shprehu sot shqetësim lidhur me komentet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për një tërheqje të mundshme të ShBA-së nga NATO-ja ndërsa shprehu besim se aleanca do të vazhdojë.
"Sigurisht, deklarata të tilla më shqetësojnë", tha Wadephul për gazetat e botuara nga grupi mediatik Funke duke shtuar se beson që mbështetja e fortë evropiane për NATO-n mund të ndihmojë në shmangien e një veprimi të tillë.
"Unë besoj se angazhimi ynë i qartë dhe mbështetja jonë e fortë për aleancën do të bindin ShBA-në të vazhdojë të shkruajë së bashku këtë histori suksesi", deklaroi Wadephul.
Trumpi dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio kanë vënë së fundmi në pikëpyetje anëtarësimin e vazhdueshëm të ShBA-së në NATO. Në një intervistë për gazetën britanike "The Telegraph", Trumpi tha se anëtarësimi i ShBA-së mund të duhet të rishqyrtohet pas luftës me Iranin, duke shprehur zhgënjimin që disa anëtarë të NATO-s nuk e mbështesin fushatën e ShBA-së dhe Izraelit.
Wadephul tha se NATO-ja mbetet me rëndësi të madhe për sigurinë e Republikës Federale të Gjermanisë, ashtu siç është për sigurinë e të gjithë partnerëve të aleancës.
Ai shtoi se aleanca është më e fortë se kurrë, duke përmendur shtimin e Suedisë dhe Finlandës dhe rritjen e angazhimeve evropiane për shpenzimet e mbrojtjes. "Nuk duhet ta vëmë në pikëpyetje asnjë nga këto, por të ndërtojmë mbi sukseset tona", tha ministri gjerman.
Wadephul theksoi se tërheqja e ShBA-së nga NATO-ja do të kërkonte miratimin e Senatit. Vërejtjet e Trumpit kanë tërhequr kritika dypartiake në Uashington. Në një deklaratë të përbashkët, senatori demokrat Chris Coons dhe senatori republikan Mitch McConnell thanë se Senati do të vazhdojë të mbështesë aleancën, duke shtuar se NATO-ja ofron siguri për ShBA-në, Evropën dhe botën në përgjithësi.
Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër, Franziska Brantner kritikoi ashpër qëndrimin e Trumpit ndaj Iranit dhe NATO-s, duke thënë se ajo nuk e sheh më ShBA-në nën udhëheqjen e tij si partner të besueshëm.
"Kushdo që fantazon hapur për bombardimin e një vendi për ta kthyer në epokën e gurit e bën të qartë se qëndron jashtë një rendi ndërkombëtar të përgjegjshëm", tha ajo për "Redaktionsnetzwerk Deutschland".
Ajo shtoi se retorika e fundit ndaj aleatëve të NATO-s tregon se ShBA-ja "nuk është më partnere por është një faktor rreziku", duke akuzuar Trumpin për dëmtimin e lidhjeve transatlantike.