Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi ka zhvilluar vizitën zyrtare në Letoni, ku është pritur në takim nga kryetarja e Parlamentit të Letonisë (Saeima), Daiga Mierina.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sigurinë evropiane dhe euroatlantike, mbështetjen për Ukrainën si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
"Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Letonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian mbetet një prioritet kombëtar që gëzon konsensus të gjerë politik e parlamentar si dhe mbështetjen e mbi 90 për qind të qytetarëve shqiptarë. Ai vlerësoi gjithashtu faktin se Presidenca letoneze e Bashkimit Evropian në vitin 2028 do të përkojë me një moment të rëndësishëm për rrugëtimin evropian të Shqipërisë", thuhet në njoftim.
Duke theksuar se stabiliteti dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe paqen në Evropë, Peleshi tha se: "Prania e NATO-s në rajon mbetet jetike për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë ndërsa Shqipëria dhe Letonia, edhe pse vende të vogla, japin një kontribut të rëndësishëm si aleatë të besueshëm në Aleancë".
Sipas njoftimit, kryetarja e Parlamentit të Letonisë, Daiga Mierina, rikonfirmoi "mbështetjen e vendosur" të vendit të saj për zgjerimin e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë një objektiv strategjik të BE-së në kushtet e sfidave të sotme gjeopolitike. Ajo theksoi se Letonia do të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Kryetarja Mierina vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes vendeve tona në përballjen me fushatat dezinformuese dhe kërcënimet hibride. Ajo vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe riafirmoi mbështetjen e Letonisë për Ukrainën dhe theksoi nevojën për ruajtjen e unitetit euroatlantik përballë sfidave të sigurisë", thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se dy homologët vlerësuan "bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në kuadër të NATO-s".






















