Gjykata Themelore në Prishtinë ka rihapur shqyrtimin gjyqësor ndaj Millorad Gjokoviq, i akuzuarit për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat tjera të Pejës.
Mediat lokale në Kosovë bënë të ditur se vendimi u mor të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donikë Shala-Abdyli.
Gjyqtarja Shala-Abdyli bëri të ditur se Gjykata ka kërkuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë t'ua sigurojë dëshminë e dëshmitares Nurije Krasniqi, por që Instituti u është përgjigjur se nuk e posedojnë këtë dëshmi.
Me këtë rast, Gjykata konstatoi se është e nevojshme që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës.
Millorad Gjokoviq, në aktakuzën e ngritur nga viti 2023 akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim - Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Ai akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Paraprakisht, Prokuroria ka kërkuar 15 vjet burgim për Gjokoviqin, i akuzuar për krime lufte, konkretisht se në bashkëkryerje ai ka kryer veprën penale "Krim i luftës kundër popullsisë civile", e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.






















