Gjermani – Protestë kundër marrëveshjes së mundshme të Volkswagen-it me Izraelin për mbrojtje
Protestuesit hodhën slogane pro paqes dhe mbajtën pankarta kundër projektit, duke shprehur shqetësime të thella për përfshirjen e gjigantit automobilistik në prodhimin e armëve.
Disa manifestues u mblodhën për të protestuar planet e kompanisë “Volkswagen” për të bashkëpunuar me kompaninë izraelite “Rafael” për prodhimin e komponentëve të sistemeve raketore në fabrikën e saj në Osnabruck.
Protestuesit hodhën slogane pro paqes dhe mbajtën pankarta kundër projektit, duke shprehur shqetësime të thella për përfshirjen e gjigantit automobilistik në prodhimin e armëve.
Volkswagen-i ka konfirmuar se është në bisedime me disa kompani të mbrojtjes, përfshirë specialistë të mbrojtjes raketore, për përdorime të mundshme të ardhshme të objektit në Osnabruck, ku prodhimi i makinave pritet të përfundojë pas vitit 2027.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Oliver Blume, tha se çdo përfshirje do të kufizohet në automjete ushtarake transporti, kompetenca kryesore e kompanisë, duke përjashtuar punën në sisteme armësh.
Sipas gazetës britanike “Financial Times”, bisedimet me kompaninë shtetërore izraelite “Rafael Advanced Defense Systems” fokusohen në prodhimin e komponentëve mbështetës për Kupolën e Hekurt, si kamionë transporti të rëndë, njësi lëshimi dhe gjeneratorë energjie.
Rreth 2.300 vende pune në fabrikë janë në rrezik nëse nuk sigurohet një linjë prodhimi e re, në mes të presioneve më të gjera mbi industrinë automobilistike gjermane nga kalimi drejt automjeteve elektrike dhe konkurrenca nga prodhuesit kinezë.