| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kallas: BE-ja nuk duhet të bjerë në “kurthin” e Rusisë për arkitekturën e sigurisë evropiane
Rusia nuk dëshiron “askënd të fortë në anën tjetër, sepse duan t’i imponojnë kërkesat e tyre maksimale”, tha shefja e politikës së jashtme e BE-së.
Kallas: BE-ja nuk duhet të bjerë në “kurthin” e Rusisë për arkitekturën e sigurisë evropiane
Kallas: BE-ja nuk duhet të bjerë në “kurthin” e Rusisë për arkitekturën e sigurisë evropiane / َAA

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, paralajmëroi të premten se përqendrimi te kërkesat e Rusisë lidhur me arkitekturën e sigurisë rrezikon ta largojë vëmendjen nga armëpushimi dhe ta çojë BE-në në një “kurth” që po përgatit Moska.

“Nëse fillojmë të diskutojmë atë që kërkon Rusia lidhur me arkitekturën e sigurisë, në të vërtetë biem në kurthet që po na përgatit Rusia”, paralajmëroi Kallas para një takimi joformal të liderëve të BE-së.

Ajo tha se çdo diskutim për arkitekturën e sigurisë evropiane do ta largonte vëmendjen nga fakti se fillimisht duhet të arrihet një armëpushim.

“Jemi në një pozitë të mirë nëse i përmbahemi marrëveshjes për të cilën po angazhohemi, atë të avancimit drejt një armëpushimi. Nëse biem në kurthin e fillimit të diskutimeve për arkitekturën e sigurisë evropiane, atëherë nuk mendoj se do të jemi në një pozitë më të mirë”, tha Kallas.

Ajo theksoi më tej nevojën për praninë e Evropës gjatë gjithë procesit të bisedimeve të paqes.

“Shpresoj që të mos jemi vetëm të pranishëm në tryezë, por të ndikojmë realisht edhe në rezultatin e këtyre negociatave”, shtoi ajo.

Kallas komentoi gjithashtu një pyetje lidhur me arsyen pse mendon se Rusia nuk e dëshiron atë si negociatore.

“Ata nuk duan askënd të fortë në anën tjetër, sepse duan t’i imponojnë kërkesat e tyre maksimale, ashtu siç kanë bërë gjithmonë”, tha ajo.

“Por nuk u takon atyre të vendosin për këtë. Përndryshe, nëse ua japim këtë të drejtë, në të vërtetë po u japim ndikimin që nuk duhet ta kenë”, shtoi Kallas.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë