Në Shkup u mbajt Punëtoria e 15-të Ndërkombëtare Komunikimi me të Ardhmen, në bashkëpunim mes Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit të Türkiyes (RTUK) dhe Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU).
Në hapjen e punëtorisë, e cila u mbajt në kampusin e IBU-së, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Shkup, Alper Aktas, kryetari i RTUK-ut, Mehmet Danis, rektori i IBU-së, prof. dr. Mehmet Bulut, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore në vend, akademikë, studentë dhe të ftuar.
Ambasadori Aktas, në fjalën e tij, foli për ndikimin e inteligjencës artificiale në media, duke theksuar se gjatë punëtorisë do të bëhen vlerësime lidhur me etikën mediatike. Ai e cilësoi punëtorinë si jashtëzakonisht të rëndësishme dhe theksoi se studentët pjesëmarrës duhet t'i kushtojnë rëndësi të madhe këtij aktiviteti.
Kryetari i RTUK-së, Danis, tha se tema e punëtorisë, në dritën e zhvillimeve të fundit, do të jetë inteligjenca artificiale, etika mediatike dhe siguria digjitale.
"Me këto punëtori që janë kthyer në traditë, synojmë të krijojmë një rrjet të gjerë në hapësirën tonë shpirtërore, në fushën e medias, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik, veçanërisht në dritën e zhvillimeve digjitale të viteve të fundit. Mendojmë se në një masë të madhe ia kemi dalë ta arrijmë këtë", tha ai.
Që nga viti 2009, në punëtori kanë marrë pjesë 619 studentë nga 28 vende
Bulut, nga ana e tij, shprehu dëshirën që punëtoria të jetë e suksesshme. "Shpresojmë që në bazë të përfundimeve që do të dalin nga këtu, të arrijmë rezultate që hapin horizonte të reja dhe shërbejnë si udhërrëfyes për etikën mediatike, etikën e komunikimit, inteligjencën artificiale dhe periudhën e komunikimit të shpejtë", tha ai.
Anëtarja e RTUK, Fatma Çeliker rikujtoi se në Punëtorinë Komunikimi me të Ardhmen, të cilën Këshilli e organizon me qëndrueshmëri dhe vizion të madh që nga viti 2009, deri më sot kanë marrë pjesë 619 studentë nga 28 vende.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Türkiyes dhe i ftuari special i punëtorisë, prof. dr. Mustafa Isen theksoi rëndësinë e aktivitetit, ku diskutohen dimensione të ndryshme të inteligjencës artificiale, veçanërisht ato që lidhen me etikën dhe sovranitetin. Ai tha se historia e njerëzimit është në njëfarë mënyre, histori e përpjekjeve për të ruajtur kujtesën e tij dhe për t'ua përcjellë përvojat brezave të ardhshëm.
Pas fjalimeve të hapjes, punëtoria vijoi me prezantimin e kumtesave akademike.























