Autoritetet shqiptare janë angazhuar në orët e fundit në shuarjen e vatrave të zjarrit në Fier dhe Durrës, përfshirë edhe Forcat e Armatosura.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka theksuar se rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në dy vatra të evidentuara mbrëmjen e djeshme, në Pojan - Parku Arkeologjik i Apolonisë, Fier dhe në Gjirin e Lalëzit, Durrës.
"Në Gjirin e Lalëzit pranë zonës së Shën Pjetrit, krahas 68 efektivëve të FA-së, janë angazhuar edhe 15 automjete zjarrfikëse nga bashkitë Durrës, Shijak, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Elbasan. Pas angazhimit të efektivëve gjatë gjithë natës në këtë zonë, për ndërhyrjen në terrenin e vështirë kodrinor është angazhuar edhe një helikopter, që po vijon punën nga ajri", ka shtuar Nufi.
Sipas tij, ekipet po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pronave të zonës.
Nufi ka theksuar se në Pojan - Parku Arkeologjik i Apolonisë, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës, e cila sipas tij është nën kontroll. Ai ka konfirmuar se në këtë zonë për shuarjen e flakëve u angazhua edhe helikopteri i Forcës Ajrore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nga zjarri nuk është dëmtuar asnjë monument.
Gjatë muajve të verës Shqipëria u përball me zjarre në pyje dhe zona të tjera, që shkaktuan edhe dëme.























