Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka vlerësuar mbështetjen e Sllovakisë për integrimin evropian të vendit, duke theksuar se ajo ka rëndësi të veçantë për realizimin e synimit strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian (BE).
Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij sllovak, Juraj Blanar, i cili qëndron për vizitë në Shkup, Mucunski tha se marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe partneriteti afatgjatë përbëjnë një bazë të fortë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor.
Ai theksoi se Sllovakia vazhdon të jetë ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë dhe investues të Maqedonisë së Veriut ndërsa vlerësoi mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të vendit dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Dialogu politik mes dy vendeve është në nivelin më të lartë ndërsa mbështetja parimore e Sllovakisë për realizimin e synimit tonë strategjik, anëtarësimin e plotë në BE, ka rëndësi të veçantë për ne”, deklaroi Mucunski. Ai bëri të ditur se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj reformave që synojnë transformimin e shoqërisë në përputhje me standardet evropiane dhe përafrimin e legjislacionit vendas me sistemin juridik të BE-së.
Mucunski theksoi se integrimi evropian duhet të bazohet në një proces të besueshëm, të parashikueshëm dhe të mbështetur në merita ndërsa përparimi i vendeve kandidate duhet të vlerësohet sipas kritereve dhe standardeve të përcaktuara.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për mbajtjen e kanaleve të hapura të dialogut me Bullgarinë dhe për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Blanar, nga ana e tij, tha se qeveria e Maqedonisë së Veriut është thellësisht e përkushtuar ndaj reformave që lidhen me integrimin në BE si dhe është e motivuar dhe e palëkundur në vendosmërinë e saj për ta çuar këtë proces deri në përfundim.
Blanar qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku u prit në një takim nga homologu i tij Mucunski, pas çka vijoi një takim plenar mes dy delegacioneve.
Kryediplomati sllovak, siç është njoftuar, do të pritet në takim edhe nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeparlamentari Afrim Gashi.




















