| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Franca rikonfirmon refuzimin për të marrë pjesë në luftën kundër Iranit
Operacionet nuk kishin objektiva të qarta dhe ishin jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare, thotë ministri i Jashtëm.
Franca rikonfirmon refuzimin për të marrë pjesë në luftën kundër Iranit
Franca rikonfirmon refuzimin për të marrë pjesë në luftën kundër Iranit / AA

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, të premten rikonfirmoi refuzimin e vazhdueshëm të Francës për të marrë pjesë në luftën ShBA-Izrael kundër Iranit.

“Franca nuk ka hyrë në luftë që nga fillimi i kësaj krize. Ne e kemi thënë këtë: duke qenë se objektivat nuk ishin të përcaktuara qartë dhe operacionet u zhvilluan jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare, ishte thjesht e paimagjinueshme që Franca të merrte pjesë,” tha Barrot për transmetuesin BFM TV.

Ai ritheksoi nevojën për ta parandaluar rifillimin e armiqësive në kuadër të negociatave.

“Siç e ka parë të gjithë që nga fillimi i kësaj lufte, të cilën ne nuk e mbështetëm dhe në të cilën nuk morëm pjesë, rreziqet e përshkallëzimit janë jashtëzakonisht të larta. Ato sjellin pasoja të mëdha për ekonominë globale dhe, rrjedhimisht, për jetën tonë të përditshme,” theksoi Barrot.

Ai nënvizoi se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet, duke kujtuar se po përgatisin një mision ndërkombëtar për të krijuar kushtet e nevojshme për rikthimin e qarkullimit.

“Nuk mund të ketë bllokime, shantazh apo tarifa në asnjë ngushticë. Ujërat ndërkombëtare nuk duhet të pengohen në asnjë mënyrë dhe nga askush,” shtoi Barrot.

ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani ndaj aleatëve të ShBA-së në Gjirin Persik dhe duke bllokuar rrugën kyçe ujore përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz. Lufta aktualisht është pezull, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund përfundimisht vazhdojnë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë