| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kryeministri në detyrë Kurti: Po e ndërtojmë Evropën brenda Kosovës
“Kur themi Kosova në Evropë nuk e kemi fjalën për ndonjë zhvendosje gjeografike, por për zhvillim vleror. Ne po e ndërtojmë Evropën këtu me drejtësi, punë dhe dinjitet”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë Kurti: Po e ndërtojmë Evropën brenda Kosovës
Kryeministri në detyrë Kurti: Po e ndërtojmë Evropën brenda Kosovës / TRT Balkan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi po e ndërton Evropën brenda Kosovës përmes qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se Evropa për Kosovën nuk përfaqëson vetëm një destinacion gjeografik, por një sistem vlerash që, sipas tij, tashmë po zbatohet në praktikë në vend.

“Kur themi Kosova në Evropë nuk e kemi fjalën për ndonjë zhvendosje gjeografike, por për zhvillim vleror. Ne po e ndërtojmë Evropën këtu me drejtësi, punë dhe dinjitet”, tha Kurti.

Ai shtoi se Kosova, sipas tij, tashmë po funksionon mbi të njëjtat vlera evropiane dhe po lufton fenomenet negative në shoqëri dhe institucione.

“Me të njëjtat vlera ne po e ndërtojmë demokracinë tonë duke qëndruar pa kompromis kundër klientelizmit, korrupsionit, krimit, lajmeve të rreme dhe degradimit të shtetit”, deklaroi Kurti.

Me rastin e Ditës së Evropës, në mbarë kontinentin është theksuar rëndësia e paqes, unitetit dhe bashkëpunimit si themel i projektit evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një mesazh drejtuar Kosovës me rastin e Ditës së Evropës, tha se e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian.

“Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian. Po bëhet shumë punë e vështirë për ta bërë këtë të ndodhë. Ju ndani të njëjtin destinacion me pjesën tjetër të rajonit, Bashkimin Evropian. Vazhdoni të punoni për ta bërë këtë të ndodhë. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane”, u shpreh Costa.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë