| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Trumpi: Memorandumi ishte “hartuar për ta vënë në provë” Iranin, sulmet amerikane do të vazhdojnë
Presidenti amerikan vuri në pikëpyetje arsyen përse Uashingtoni kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për vendosjen e armëpushimit, duke paralajmëruar se Teherani nuk kishte kapacitete për të ndalur sulme të tjera.
Trumpi: Memorandumi ishte “hartuar për ta vënë në provë” Iranin, sulmet amerikane do të vazhdojnë
Trumpi: Memorandumi ishte “hartuar për ta vënë në provë” Iranin, sulmet amerikane do të vazhdojnë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni do të kryente sulme të tjera kundër Iranit gjatë dy ditëve të ardhshme, duke thënë se Teherani “nuk ka asgjë” me të cilën mund t’i ndalojë ato.

“Do t’i godasim shumë fuqishëm sonte dhe do t’i godasim fort edhe nesër. Ata nuk mund të bëjnë absolutisht asgjë për këtë”, tha Trumpı të hënën gjatë një interviste radiofonike me komentatorin politik dhe drejtuesin e emisioneve Hugh Hewitt.

“Ata nuk kanë asgjë. Nuk kanë asgjë tjetër përveç fjalëve të mëdha”, shtoi ai.

Trumpı gjithashtu minimizoi rëndësinë e Memorandumit të Mirëkuptimit të arritur me Iranin, duke thënë se ai kishte për qëllim të vinte në provë gatishmërinë e Teheranit për të respektuar marrëveshjen.

Ai tha se kishte ngritur pyetjen se përse ShBA-ja kishte nënshkruar fillimisht një memorandum mirëkuptimi për vendosjen e armëpushimit, në vend që të synonte drejtpërdrejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Ata nuk e respektuan provën”, shtoi Trumpi.

Objekti bërthamor përmendet si objektiv i mundshëm

Trump ngriti gjithashtu mundësinë e goditjes së një objekti nëntokësor iranian, të njohur si “Pickaxe Mountain”, i cili është vënë nën vëzhgim për shkak të dyshimeve për aktivitete të lidhura me programin bërthamor.

“Pickaxe është një objektiv i mundshëm për një goditje të fuqishme, pikërisht pranë hyrjes kryesore”, tha Trumpı, duke shtuar se ShBA-ja po e “vëzhgonte nga afër”, por aktualisht nuk kishte konstatuar “asnjë aktivitet” atje.

“Ata nuk po ecin mirë me programin e tyre bërthamor. Sa herë që dëgjojmë diçka për të, ne e bombardojmë. Prandaj nuk u pëlqen të flasin për këtë. Por ndoshta do ta godasim Pickaxein së shpejti”, shtoi ai.

“Do ta asgjësojmë Pickaxe Mountain. Thuajuni iranianëve të jenë gati”, deklaroi Trumpi gjatë intervistës.

Pickaxe Mountain, i vendosur pranë objektit të pasurimit të uraniumit në Natanz, i cili është dëmtuar rëndë, është një kompleks shumë i fortifikuar me dy sisteme tunelesh të ndërtuara thellë nën tokë. Ekspertët vlerësojnë se ato ndodhen përtej rrezes së bombave më të fuqishme amerikane të projektuara për shkatërrimin e bunkerëve.

Më herët të hënën, Trumpi deklaroi se Shtetet e Bashkuara po rivendosnin bllokadën ndaj transportit detar iranian në Gjirin Persik dhe se do të garantonin mbajtjen hapur të Ngushticës së Hormuzit, kundrejt një tarife, pasi të dyja palët shkëmbyen sulme të tjera me raketa dhe dronë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë