Mijëra sirianë shënojnë 15-vjetorin e revolucionit me tubim në Daraa
Në tetor, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa shpalli 18 marsin festë kombëtare për ta përkujtuar fillimin e kryengritjes.
Mijëra sirianë u mblodhën të mërkurën në Daraa për të shënuar 15-vjetorin e fillimit të revolucionit sirian, në një tubim masiv ku morën pjesë zyrtarë dhe figura të ish-opozitës.
Mes pjesëmarrësve ishin guvernatori i Daraas, Anwar al-Zoubi, dhe themeluesi i Ushtrisë së Lirë Siriane, Riad al-Asaad, së bashku me figura lokale dhe banorë që kishin qenë dëshmitarë të protestave të para në vitin 2011, raportoi një korrespondent i Anadolus.
Tubimi nisi pranë xhamive Al-Hamza dhe Al-Abbas në Daraa al-Balad, vendi ku shpërtheu për herë të parë kryengritja kundër regjimit të Bashar al-Assadit 15 vjet më parë.
Pjesëmarrësit ndoqën të njëjtën rrugë të protestave fillestare drejt Xhamisë Al-Omari dhe më pas drejt zonës që ndan Daraa al-Balad nga distrikti al-Mahatta, ku simbolikisht rikrijuan përballjen e parë me forcat e sigurisë.
Në atë vend, forcat e regjimit të Assadit kishin hapën ndaj protestuesve gjatë protestës së parë më 18 mars 2011.
Për ta kujtuar ato ngjarje, pjesëmarrësit hodhën fishekzjarre, duke i rikrijuar simbolikisht tingujt e të shtënave të asaj kohe.
Demonstruesit valëvitën flamuj sirianë dhe mbanin fotografi të viktimave të para të revolucionit, Mahmoud Jawabra dhe Hossam Ayyash.
“Gëzimi ynë është i madh që jemi sot në Daraa, sepse gjaku i dëshmorëve tanë nuk shkoi kot. Revolucioni triumfoi pavarësisht represionit”, tha Riad al-Asaad për Anadolu.
Ai shtoi se Daraa “sot zbukurohet si vendlindja e revolucionit, duke i kujtuar dëshmorët e parë dhe sakrificat e mëdha, që janë pjesë e sakrificave në gjithë Sirinë”.
Në tetor, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa shpalli 18 marsin festë kombëtare për ta përkujtuar fillimin e kryengritjes.
Më 8 dhjetor 2024, forcat opozitare siriane hynë në Damask, duke shpallur rrëzimin e Assadit, i cili kishte qeverisur nga viti 2000 deri në 2024, pasi kishte trashëguar pushtetin nga babai i tij, Hafez al-Assad.