Izraeli shkel sërish armëpushimin duke sulmuar Libanin jugor, të paktën një i vrarë
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga jugu i Libanit deri në janar, por deri më tani ka bërë vetëm një tërheqje të pjesshme dhe vazhdon të mbajë prani ushtarake në pesë pika kufitare.
Një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën në sulmet izraelite që kishin në shënjestër qytetin Al-Msayleh në Guvernatoratin e Jugut të Libanit, në shkeljen më të fundit të marrëveshjes së armëpushimit, sipas mediave lokale.
Agjencia shtetërore e lajmeve NNA raportoi se dhjetë sulme ajrore izraelite goditën gjashtë buldozerë në rrugën Al-Msayleh, duke shkaktuar shkatërrimin dhe djegien e shumë automjeteve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një shtetas sirian u vra në sulm, ndërsa një tjetër sirian dhe gjashtë shtetas libanezë, përfshirë dy gra, u plagosën.
Rruga Al-Msayleh u mbyll për shkak të dëmeve të konsiderueshme, raportoi kanali Al-Manar.
Në një zhvillim të ndarë, agjencia raportoi se dronët izraelitë janë parë duke fluturuar mbi kryeqytetin Bejrut dhe periferitë jugore që nga e shtuna në mëngjes.
Izraeli konfirmon sulmet në Liban
Ushtria izraelite konfirmoi se ka kryer sulme në territorin libanez.
Në një deklaratë, ajo tha se kishte “goditur dhe shkatërruar infrastrukturën terroriste të Hezbollahut në zonën e Libanit jugor, ku ndodheshin pajisje inxhinierike të përdorura për rivendosjen e infrastrukturës në atë zonë.”
Izraeli ka bombarduar në mënyrë të përsëritur Libanin pavarësisht armëpushimit të nëntorit, i cili pasoi më shumë se një vit përleshjesh me grupin e mbështetur nga Irani, që kulmuan me dy muaj luftë të hapur.
Një armëpushim u arrit në nëntor 2024 pas një cikli njëvjeçar sulmesh ndërkufitare mes Hezbollahut dhe Izraelit, që nisi në tetor 2023. Konflikti u përshkallëzua në një ofensivë të plotë izraelite deri në shtator 2024, duke shkaktuar mbi 4.000 të vdekur dhe rreth 17.000 të plagosur.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga jugu i Libanit deri në janar, por deri më tani ka bërë vetëm një tërheqje të pjesshme dhe vazhdon të mbajë prani ushtarake në pesë pika kufitare.