Rama reagon pas vendimit të Kushtetuese për TikTok-un: Mbyllja solli masa shtesë nga kompania
Gjykata argumentoi se qeveria nuk kishte një autorizim të qartë ligjor për të bllokuar një platformë online për të gjithë përdoruesit në Shqipëri.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila vlerësoi se mbyllja e rrjetit social TikTok në vend nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata argumentoi se qeveria nuk kishte një autorizim të qartë ligjor për të bllokuar një platformë online për të gjithë përdoruesit në Shqipëri.
Në reagimin e tij, Rama u shpreh se sipas këtij vendimi, Gjykata duket se konsideron të gabuar qëndrimin e shumicës së prindërve dhe mësuesve shqiptarë që kishin kërkuar mbylljen e platformës.
“Gjykata Kushtetuese mendoka që 90 për qind e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TikTok-ut”, shkroi ai.
Kryeministri shtoi se platforma u rihap falë mirëkuptimit që u arrit me kompaninë për të vendosur masa shtesë sigurie, masa që sipas tij erdhën pikërisht si rezultat i mbylljes së përkohshme.
“Fatmirësisht ne e rihapëm TikTok-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat ekstra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, sepse po të ishte për Gjykatën Kushtetuese nuk do të ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive nuk do të kishin ardhur”, u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu se, sipas tij, mbyllja e përkohshme ka sjellë një lehtësim për prindërit dhe mësuesit.
“Falë asaj mbylljeje sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, përfundoi Rama.
Qeveria e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, vendosi më 6 mars 2025 mbylljen e përkohshme të rrjetit social TikTok për një periudhë 12-mujore, duke e argumentuar këtë vendim me rritjen e rasteve të dhunës dhe bullizmit mes të rinjve, si dhe me nevojën për të marrë masa mbrojtëse për fëmijët. Nga ana tjetër, në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi shfuqizimin e kësaj mase, duke hapur rrugën për rikthimin e funksionimit të platformës në vend.