Kosova reagon ndaj deklaratave të ish-drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vulin

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka bërë thirrje që faktori ndërkombëtar të ketë vëmendjen e plotë te deklaratat kërcënuese të ish-drejtorit të Shërbimit Inteligjent Serb (BIA), Aleksandar Vulin, ndaj Kosovës dhe liderëve të saj.

By
Kosova reagon ndaj deklaratave të ish-drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vulin / AA

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë thirrje që faktori ndërkombëtar të ketë vëmendjen e plotë te deklaratat kërcënuese të ish-drejtorit të Shërbimit Inteligjent Serb (BIA), Aleksandar Vulin, ndaj Kosovës dhe liderëve të saj.

Sveçla nëpërmjet një reagimi publik tha se deklarata e Vulinit e bërë në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai përmend modelin e Mossad-it dhe shtron pyetjen "kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne", është e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese.

"Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t'i aplikosh ato në raport me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan", tha Sveçla.

Ministri kosovar tha se është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës.

Sveçla ka thënë se deklarata e Vulinit se "Serbia di ta bëjë këtë" është precedent i rrezikshëm dhe se mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese.

Në këtë rast, Sveçla ka përmendur arrestimin e dy bjellorusëve dhe një rusi në javën e dytë të shkurtit në Kosovë të cilët ishin ndaluar pasi kishin hyrë ilegalisht dhe u ishin gjetur pajisje për orientim, kamuflim e realizim të planeve operative, "që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulini".

"Ne si bartës të institucioneve nuk zmbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë", tha Sveçla.

Vulin aktualisht nuk ka ndonjë post në institucionet në Serbi, por, ka qenë drejtor i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ministër në disa ministri dhe shef i BIA-s.