| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye vendos defibrilatorë automatik në hapësirat publike për të shpëtuar jetë
Eksperti tha se pajisjet, të zhvill.uara nga inxhinierë turq në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe kompaninë e mbrojtjes ASELSAN, po instalohen në hapësira publike në disa provinca të vendit
Türkiye vendos defibrilatorë automatik në hapësirat publike për të shpëtuar jetë
Türkiye vendos defibrilatorë automatik në hapësirat publike për të shpëtuar jetë/ AA / َAA

Një ekspert i njohur i mjekësisë emergjente ka bërë të ditur se Türkiye po zgjeron vendosjen e defibrilatorëve të jashtëm automatikë (AED), të zhvilluar në vend, në hapësirat publike me frekuentim të lartë në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e mundësive për mbijetesë të personave që pësojnë arrest të papritur kardiak.

Presidenti i Shoqatës Turke të Mjekësisë Emergjente, Bulent Erbil, për Anadolu tha se pajisjet, të zhvilluara nga inxhinierë turq në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe kompaninë e mbrojtjes ASELSAN, po instalohen në hapësira publike në disa provinca të vendit.

Duke folur gjatë një vizite në provincën veriperëndimore të Edirnesë, Erbil, i cili shërben gjithashtu si kryemjek i Spitalit për të Rritur të Universitetit Hacettepe, theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme kur një personi i ndalet zemra dhe frymëmarrja.

Ai tha se fillimisht duhet të kontaktohen shërbimet e emergjencës duke telefonuar në numrin 112, ndërsa personat e pranishëm duhet t'i kërkojnë dikujt të sjellë defibrilatorin më të afërt dhe të fillojnë reanimimin kardiopulmonar (CPR).

"Kur defibrilatorët automatikë ndizen menjëherë dhe vendosen në trupin e pacientit, mundësitë e tij për mbijetesë rriten nëse ritmi normal i zemrës mund të rikthehet", tha ai.

Erbil theksoi se shkalla e mbijetesës mund të arrijë në 90 për qind kur persona të trajnuar ndërhyjnë me defibrilator brenda minutave të para, por se mundësitë për mbijetesë ulen nga 7 për qind deri në 10 për qind për çdo minutë vonesë.

Ai theksoi se pajisjet duhet të vendosen kudo ku mblidhen një numër i madh njerëzish, përfshirë terminalet e transportit, avionët, trenat, universitetet, shkollat dhe vendet e mëdha të punës.

Erbil tha se Ministria e Shëndetësisë kishte nisur një nismë gjithëpërfshirëse për zgjerimin e qasjes në defibrilatorë, pas rregulloreve të miratuara rreth një vit më parë.

Ai shtoi se universitetet kanë marrë rolin udhëheqës duke i instaluar pajisjet në kampuset e tyre, ndërsa edhe komunat e kanë mbështetur këtë përpjekje.

Ai po ashtu tha se ministria fillimisht u përqendrua në qytetet e mëdha, përpara se të zgjeronte instalimin e pajisjeve edhe në vende të tjera.

"Ky është një zhvillim shumë pozitiv për vendin tonë dhe jemi shumë të kënaqur. Si Shoqatë Turke e Mjekësisë Emergjente, ne e mbështesim këtë nismë", tha Erbil.

Ai shtoi se shoqata ofron trajnime për përdorimin e defibrilatorëve dhe ka përgatitur video edukative përmes Komisionit të saj të Shëndetit Publik, të cilat janë të qasshme për të gjithë të interesuarit.