| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj 35 personave në lagjen e Jasharëve në Prekaz
Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj 35 personave në lagjen e Jasharëve në Prekaz
Kosovë, ngritet aktakuzë ndaj 35 personave në lagjen e Jasharëve në Prekaz

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë në mungesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz.

Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj, në një konferencë për media sot ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

"Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz", është shprehur Isufaj, duke thënë se tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në të.

Isufaj ka thënë se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.

Ndërsa prokurori Valdet Gashi tha se aktakuzë është ngritur pas një pune disavjeçare të Prokurorisë, duke e cilësuar rastin si shumë kompleks.

"Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që ta vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 në fshatin Prekaz i Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharëve", theksoi Gashi.

Ai ka thënë se bazuar në provat materiale dhe personale kanë arritur t’i identifikojnë 35 të pandehur, të cilët ka thënë se u përkasin pozitave të larta komanduese të strukturave të njësive speciale të policisë serbe.

"Gjithashtu, është arritur të vërtetohet saktë se cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në këtë sulm, pozicioni ku kanë sulmuar ata, aktivitetet e secilit të pandehur, arsenali i armatimit që është përdorur dhe dëmet që janë shkaktuar si në njerëz ashtu edhe në pasuri", u shpreh Gashi.

Ai shtoi se gjatë hetimeve është zbuluar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civil, në mesin e të cilëve persona duke filluar nga mosha 5 vjeçare, gra dhe pleq. Gashi nënvizoi se është vërtetuar se forcat serbe kishin marrë peng banorët e lagjes dhe i kishin malretuar në mënyra të ndryshme.

Aktakuza për për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharëve, në Prekaz të Skenderajt ishte paralajmëruar muaj më parë gjatë këtij viti.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë