| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye në bisedime me SpaceX dhe Amazon për satelitë në orbitë të ulët
Zv.ministri turk i Transportit dhe i Infrastrukturës, Omer Fatih Sayan, tha se përpjekjet e Türkiyes në fushën e satelitëve LEO kanë çuar në takime me Starlink të SpaceX dhe Project Kuiper të Amazon gjatë aktivitetit.
Türkiye në bisedime me SpaceX dhe Amazon për satelitë në orbitë të ulët
Türkiye në bisedime me SpaceX dhe Amazon për satelitë në orbitë të ulët / AA
3 orë më parë

Türkiye po negocion kushtet rregullatore dhe të sigurisë për funksionimin në vend të sistemeve satelitore në orbitë të ulët të Tokës (LEO) me kompani si SpaceX dhe Amazon.

Zv.ministri turk i Transportit dhe i Infrastrukturës, Omer Fatih Sayan, duke folur për Anadolu në kuadër të panairit treditor SATShow Expo 2026 të mbajtur këtë javë në Washington, tha se përpjekjet e Türkiyes në fushën e satelitëve LEO kanë çuar në takime me Starlink të SpaceX dhe Project Kuiper të Amazon gjatë aktivitetit.

"Ne i informuam kompanitë për llojin e rregulloreve që duhet të respektojnë në Türkiye dhe kërkesat tona të sigurisë", tha ai, duke shtuar se është e mundur të paraqitet një plan veprimi nëse ato pranojnë t'i përmbahen këtyre kushteve.

Sayan tha se kompani kryesore turke si Turksat, Turkish Aerospace Industries (TAI), Aselsan dhe Profen po ekspozojnë produktet e tyre në këtë aktivitet në kuadër të Pavijonit Turk, ndërsa kompani si Fergani Space dhe CTech gjithashtu po marrin pjesë për të përfaqësuar ekosistemin vendas të satelitëve.

Ai theksoi se Turksat ka arritur deri tani dy marrëveshje në këtë aktivitet me Anuvu dhe Viasat për shërbime në sektorin e aviacionit, ndërsa sateliti vendas Turksat 6A ka sjellë përparime të rëndësishme për kompaninë në këtë fushë.

"Kemi marrëveshje partneriteti në shumë projekte satelitore dhe zhvillimi i projekteve të reja është i fokusuar në forcimin e kapaciteteve vendase dhe kombëtare. Po planifikojmë infrastrukturën për këto projekte së bashku me prodhues globalë dhe kompani turke brenda ekosistemit vendas të satelitëve", tha Sayan.

Ai tha se Türkiye ka filluar kalimin drejt teknologjisë 5G në komunikimet mobile pas një ankandi të zhvilluar në fund të vitit të kaluar dhe se Ankaraja ka nisur të mbledhë gjithsej 3,5 miliardë dollarë nga tarifat e frekuencave.

Ai po ashtu njoftoi se mbledhja e parë nisi më 1 janar dhe se 5G do të lançohet zyrtarisht në mbarë vendin më 1 prill.

Ai shtoi se shpejtësia e të dhënave do të rritet dhe vonesat do të ulen me 5G, duke rritur gjithashtu kapacitetin satelitor, një temë kyç në aktivitet dhe në diskutimet që kompanitë vendase po zhvillojnë në këtë fushë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë