| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Presidentja e RMV-së: Partneriteti ekonomik me Indinë ta arrijë nivelin e marrëdhënieve politike
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka deklaruar se pozicioni gjeostrategjik i Maqedonisë së Veriut, korridoret infrastrukturore dhe qasja e lehtë në tregun evropian mund të jenë me interes të veçantë për investitorët indianë.
Presidentja e RMV-së: Partneriteti ekonomik me Indinë ta arrijë nivelin e marrëdhënieve politike
Siljanovska-Davkova: Ka ardhur koha që partneriteti ekonomik me Indinë ta arrijë nivelin e marrëdhënieve politike. / AA

Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidentja e Indisë Droupadi Murmu diskutuan mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional midis dy vendeve gjatë vizitës së parë ndonjëherë të një presidenti indian në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.

Në takim, dy bashkëbisedueset e rikonfirmuan angazhimin e tyre për t'i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë, me një fokus të veçantë te rritja e shkëmbimeve ekonomike, hapja e mundësive të reja për investime dhe forcimi i kontakteve institucionale.

"Ka ardhur koha që partneriteti ynë ekonomik ta arrijë nivelin e marrëdhënieve tona politike", tha Siljanovska-Davkova.

Ajo vuri në dukje se dialogu politik midis Shkupit dhe Nju-Delhit është në rritje dhe se bashkëpunimi duhet të zgjerohet më tej në fushat e ekonomisë, shkencës, arsimit, teknologjisë dhe kulturës.

Siljanovska-Davkova vlerësoi se India është një nga historitë më të jashtëzakonshme ekonomike të shekullit XXI, veçanërisht në fushat e inovacionit, teknologjive digjitale dhe sipërmarrjes, duke shtuar se Maqedonia e Veriut ka potencialin të shërbejë si një portë hyrëse për kompanitë indiane drejt tregjeve evropiane.

"Për të përmendur vetëm disa nga avantazhet: të vendosur në kryqëzimin e korridoreve kryesore evropiane të transportit dhe duke gëzuar stabilitet politik, një klimë konkurruese biznesi, një fuqi punëtore me kualifikim të lartë dhe qasje preferenciale në tregjet evropiane, ne jemi një pikë hyrëse tërheqëse për kompanitë indiane që kërkojnë ta zgjerojnë praninë e tyre në Evropë. Ne nuk jemi thjesht një kryqëzim gjeografik, por edhe një kryqëzim idesh, inovacioni, investimesh dhe mundësish", tha Siljanovska-Davkova.

Ajo e identifikoi industrinë e automobilave, sektorin farmaceutik, teknologjinë e informacionit, burimet e rinovueshme të energjisë, bujqësinë, logjistikën dhe prodhimin e avancuar si fusha prioritare për zhvillimin e bashkëpunimit.

"Ndava me Presidenten Murmu bindjen time se duhet të vendosim një qëllim të përbashkët, më ambicioz, por të realizueshëm – që tregtia dypalëshe të arrijë të paktën 500 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme", deklaroi Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se potencial i konsiderueshëm i pashfrytëzuar ekziston gjithashtu në kulturë, arsim, kërkime shkencore dhe shkëmbime rinore, të cilat kontribuojnë në lidhje më të ngushta midis popujve.

Dy presidentet diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e turizmit, si dhe për mundësinë që Maqedonia e Veriut t'u bashkohet disa nismave globale të udhëhequra nga India, përfshirë Aleancën Ndërkombëtare për Energjinë Diellore, Aleancën Globale për Biokarburantet dhe Koalicionin për Infrastrukturë Rezistente ndaj Katastrofave.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë