Për shkak të mungesës së katër avokatëve mbrojtës, është shtyrë seanca gjyqësore fillestare për masakrën që nxiti reagimin ndërkombëtar në luftën e Kosovës, Masakrën e Reçakut.
Sipas organeve të drejtësisë arsyeja që nuk filloi sot seanca fillestare për Masakrën e Reçakut ishte se Oda e Avokatëve nuk kishte caktuar avokatë sipas detyrës zyrtare për të akuzuarit. Disa nga avokatët që ishin të pranishëm në gjykatë deklaruan se ishin njoftuar nga Oda e Avokatëve vetëm për datën e seancës dhe se duhej të paraqiteshin sipas detyrës zyrtare, por nuk ishin informuar se për cilin rast bëhej fjalë.
Për shkak të këtyre rrethanave, gjykata e shtyu shqyrtimin, ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 korrik. Lidhur me aktakuzën për rastin e Masakrës së Reçakut, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 të pandehurve.
Me propozim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), gjykimi planifikohej të niste në mungesë të të pandehurve, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi të pandehurit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Departamenti Special i Gjykatës ka bërë publik emrat e të akuzuarve për çështjen penale në fjalë, duke treguar se aktakuza është ngritur ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq.
Të gjithë këta akuzohen për veprën penale për krime të "Luftës kundër popullsisë civile".
Prokuroria u ka bërë thirrje të pandehurve të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës "243 të Mekanizuar", Armatës së III- të, e njohur si "Korpusi i Prishtinës", si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
"Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘Pishat', ‘Gështenjat' dhe ’Çesta'. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan", thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Hetimet e Prokurorisë kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
Masakra e Reçakut u bë shkaku kryesor për reagimin ndërkombëtar në Kosovë. Në këtë masakër u vranë brutalisht 45 civilë shqiptarë, përfshirë burra, gra dhe të moshuar, ndërsa rreth 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.























