| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
ShBA, lideri i Demokratëve Jeffries shpall kandidaturën për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve
“Ju shkruaj për të kërkuar përulësisht mbështetjen tuaj për kandidaturën time për të shërbyer si kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve”, ka thënë Jeffries në një letër drejtuar anëtarëve të ardhshëm të Kongresit.
ShBA, lideri i Demokratëve Jeffries shpall kandidaturën për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve
ShBA, lideri i Demokratëve Hakeem Jeffries shpall kandidaturën për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

Lideri i Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së, Hakeem Jeffries, të mërkurën kërkoi zyrtarisht mbështetje për kandidaturën e tij për t’u bërë kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve, pas fitoreve të Demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit. 

Në një letër drejtuar anëtarëve të ardhshëm të Kongresit të 120-të, Jeffries përshëndeti suksesin zgjedhor të partisë, duke deklaruar se “Amerika është rikthyer”, dhe bëri thirrje për një drejtim të ri politik të përqendruar te përballueshmëria e jetesës, llogaridhënia dhe vlerat amerikane.

“Ju shkruaj për të kërkuar përulësisht mbështetjen tuaj për kandidaturën time për të shërbyer si kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve”, tha ai.

Jeffries u zotua se do t’i japë përparësi uljes së kostos së jetesës, anulimit të shkurtimeve të programit Medicaid, rikthimit të financimit për ndihmën ushqimore, zgjatjes së lehtësimeve tatimore sipas Ligjit për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm (ACA) dhe eliminimit të tarifave doganore të vendosura gjatë administratës së presidentit Donald Trumpit. Ai gjithashtu bëri thirrje për përfundimin e luftës në Iran, së cilës ia atribuoi rritjen e çmimeve të benzinës.

Sa i përket llogaridhënies, Jeffries premtoi mbikëqyrje më të fuqishme të Kongresit ndaj administratës së Trumpit, masa kundër korrupsionit dhe rritjes abuzive të çmimeve, si dhe ndalimin e tregtimit të aksioneve nga anëtarët e Kongresit.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të votës, trajtimit të barabartë para ligjit dhe traditës së vendit si një komb i ndërtuar nga imigrantët.

Duke argumentuar se Demokratët e kanë sfiduar me sukses administratën e Trumpit edhe kur ishin në pakicë, Jeffries tha se partia tani duhet të realizojë ndryshime më të gjera në politika, duke pasur kontrollin e Kongresit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë