| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Izraeli vazhdon shkeljet e armëpushimit në Gaza, vriten dy palestinezë
Një person është vrarë në një sulm me dron në kampin e refugjatëve Nuseirat, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në një sulm të mëparshëm në Qytetin e Gazës, bëjnë të ditur burime mjekësore.
Izraeli vazhdon shkeljet e armëpushimit në Gaza, vriten dy palestinezë
Izraeli vazhdon shkeljet e armëpushimit në Gaza, vriten dy palestinezë/ AA

Një palestinez është vrarë në një sulm izraelit në Gazën qendrore herët të shtunën, ndërsa një tjetër ka vdekur nga plagët e marra në një sulm të mëparshëm, thanë burime mjekësore për Anadolu.

Vdekjet kanë ndodhur në kohën kur ushtria izraelite po vazhdon shkeljet e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila është në fuqi që nga tetori i vitit 2025.

Një burim mjekësor në Spitalin Al-Awda në Gazën qendrore tha se Diaa Abu al-Rous është vrarë në një sulm izraelit në veri të kampit të refugjatëve Nuseirat.

Dëshmitarët thanë për Anadolu se një dron izraelit kreu sulmin pranë selisë së një kompanie të energjisë elektrike në veri të kampit.

Ndërkohë, Arafat al-Arair ka vdekur nga plagët e rënda që kishte marrë disa ditë më parë në një sulm izraelit që kishte shënjestruar një automjet në lagjen Tel al-Hawa, në jugperëndim të Qytetit të Gazës.

Një burim mjekësor në Spitalin Al-Shifa në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës konfirmoi vdekjen e tij për Anadolu.

– Raportohet për bombardime izraelite në gjithë Gazën

Ndërkohë, burime lokale thanë për Anadolu se automjetet ushtarake dhe artileria izraelite kanë bombarduar disa zona në gjithë Rripin e Gazës.

Sipas burimeve, sulmet kanë shënjestruar pjesët lindore të Beit Lahias në Gazën veriore, Qytetin e Gazës, Khan Younisin në jug dhe Deir al-Balahun në Gazën qendrore.

Anijet luftarake izraelite kanë bombarduar gjithashtu bregdetin e Qytetit të Gazës dhe kanë hapur zjarr me mitralozë në drejtim të bregut. Automjetet ushtarake izraelite kanë qëlluar intensivisht drejt shtëpive pranë kryqëzimit al-Sanafour, në lagjen lindore Tuffah të Qytetit të Gazës.

Në Khan Younis, burime lokale raportuan se automjetet ushtarake izraelite kanë hapur zjarr në drejtim të tendave ku strehohen palestinezët e zhvendosur në zonat al-Iqlimi dhe Bir 19, në jug të qytetit.

Disa tenda janë goditur nga të shtënat, por nuk janë raportuar të lënduar, sipas burimeve.

– Shkeljet e armëpushimit kanë shkaktuar mbi 1.500 të vrarë

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, shkeljet izraelite të armëpushimit kanë shkaktuar vdekjen e 1.574 palestinezëve dhe plagosjen e 5.687 të tjerëve deri të enjten.

Që nga tetori i vitit 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74.000 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 175.000 të tjerëve, sipas ministrisë.

Sipas shifrave të publikuara, lufta ka shkatërruar gjithashtu rreth 90 për qind të infrastrukturës civile.