Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka pritur në një takim atasheun e ri ushtarak të Türkiyes në Tiranë, Kolonel Murat Ilhan, me fokus diskutimet për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, ministri Nufi shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të Türkiyes në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Nufi theksoi se në takim rikonfirmuan rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-Türkiye dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
"Shqipëria shpreh mirënjohjen e sinqertë për kontributin e vazhdueshëm të Türkiye në modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Arsimimi dhe stërvitja ushtarake mbeten shtylla të rëndësishme të bashkëpunimit tonë, të ndërtuar ndër vite përmes formimit të kadetëve, oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë në institucionet ushtarake turke", tha Nufi.
Nufi tha ndër të tjera se vlerësojnë potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.


















