Një nga indekset globale, indeksi i varfërisë i OKB-së është rritur për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2010, duke e çuar numrin e njerëzve të prekur në 1,2 miliard, raportoi të hënën Programi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Në botimin e vitit 2026 të raportit të tyre vjetor, UNDP-ja dhe qendra kërkimore Iniciativa e Oksfordit për Varfërinë dhe Zhvillimin Njerëzor numëruan 51,5 milionë njerëz më shumë që jetojnë në varfëri "akute" krahasuar me vitin e kaluar.
Administratori i UNDP-së, Alexander De Croo, tha se rritja e varfërisë duhet të jetë një "thirrje zgjimi për botën".
"Pas këtyre shifrave qëndrojnë 1,2 miliard njerëz që përballen me vështirësi që përforcojnë njëra-tjetrën: uria, mungesa e shkollimit dhe mungesa e ujit të pastër ose e energjisë elektrike. Kjo është e papranueshme", tha ai nëpërmjet një komunikatë për media.
Më shumë se gjysma e atyre që jetojnë në varfëri akute janë fëmijë.
Megjithatë, UNDP-ja tha se një faktor kryesor në rritjen e regjistruar ishte rritja e popullsisë, dhe se të dhëna të reja ishin të disponueshme vetëm për 13 nga 108 vendet në zhvillim që mbulon raporti.
Edhe pse numri i përgjithshëm i njerëzve në varfëri është rritur, raporti paraqet një pamje të përzier.
Rreth 33 vende e kanë përgjysmuar përqindjen e popullsisë së tyre që jeton në varfëri, sipas përcaktimit të indeksit, në 15 vitet e fundit.
Mes tyre janë gjashtë vende të Afrikës Nën-Sahariane. Ndër vendet që kanë bërë përparimin më të shpejtë ishin vende të Azisë, si Kina dhe Vietnami, tha UNDP-ja.
Ashtu si një vit më parë, raporti zbuloi se shumica e njerëzve më të varfër jetojnë në Afrikën Nën-Sahariane dhe në Azinë Jugore, veçanërisht në nënkontinentin indian, rajonin më të populluar të botës.
"Në Egjipt, Nepal dhe Taxhikistan, si shkalla e varfërisë, ashtu edhe numri i njerëzve që përjetojnë varfëri shumëdimensionale, kanë rënë ndjeshëm", thuhej në komunikatën për media.
Në Angolë dhe Zambi, shkalla e varfërisë ka rënë gjithashtu, por rritja e popullsisë e ka tejkaluar plotësisht këtë rënie, duke rezultuar në një rritje të numrit të njerëzve që jetojnë në varfëri.
Indeksi i varfërisë i përdorur në raport përfshin tregues si mungesa e strehimit të përshtatshëm, e kanalizimeve, e energjisë elektrike, e lëndës djegëse për gatim, e ushqimit dhe e arsimit.






















