Presidenti Begaj: Evropa e bashkuar do të ishte e paplotë pa Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në takim Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap, ndërkohë ceremonia zyrtare e pritjes është mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka deklaruar se Evropa e bashkuar do të ishte e paplotë pa Ballkanin Perëndimor.
Begaj ka pritur sot në takim Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap, ndërkohë ceremonia zyrtare e pritjes është mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Sipas një njoftimi nga Presidenca e Shqipërisë, në takim u shpreh vullnet i përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
"Kreu i Shtetit i përcolli Fra’ John T. Dunlap falënderime për ndihmën e vazhdueshme që Urdhri Sovran i Maltës i ka dhënë Shqipërisë përmes projekteve në fusha të ndryshme, si: shëndetësia, arsimi, ndihma sociale, emergjencat dhe mbrojtja civile. Presidenti Begaj shprehu në takim frymën harmonike mes besimeve dhe feve në Shqipëri. Kjo harmoni, theksoi presidenti Begaj, është një trashëgimi historike për Shqipërinë, e cila ka dëshmuar një shembull në këtë drejtim", thuhet në njoftim.
Sipas presidentit Begaj, me të njëjtën frymë mirëkuptimi, Shqipëria ka ndërtuar dhe marrëdhëniet me fqinjët ku "ajo ka një rol të veçantë në rajonin e Ballkanit për ndërtimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe besimit të ndërsjellë".
"Urdhri Sovran i Maltës nxit dhe mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në këtë kontekst, presidenti Begaj i shprehu falënderime Fra’ John T. Dunlap. Megjithatë, Evropa e bashkuar, vlerësoi presidenti Begaj, do të ishte e paplotë pa Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, kreu i shtetit (Begaj) theksoi se do të vlerësonte së tepërmi kontributin e Urdhrit Sovran të Maltës në zgjerimin e mëtejshëm të hartës së njohjeve zyrtare të pavarësisë së Kosovës, një kontribut për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkan", thekson njoftimi.
Sipas njoftimit, Begaj u nderua me dekoratën Gjerdani i Urdhrit të Maltës “Collar Pro Merito Melitens”, ndërkohë, Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap, u nderua nga Begaj me dekoratën “Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.