Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e Sanxhakut u bënë sot pjesë e një tryeze diskutimi në Prishtinë, ku u ngritën shqetësimet për diskriminimin institucional dhe bllokimin e mjeteve financiare për projektet e tyre.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte nikoqir i këtij takimi tha se për Kosovën mbështetja ndaj shqiptarëve atje është përgjegjësi e vazhdueshme, ndërsa kërkoi që mjetet e bllokuara të zhbllokohen dhe projektet e miratuara të realizohen.
“Kemi dy transfere të bllokuara në janar të këtij viti, me vlerë prej 304.500 euro, dhe në prill të po këtij viti, me vlerë prej 1.837.500 euro, apo më shumë se gjashtëfishi i shumës paraprake. Këto janë tri mjete që mbulojnë një arkitekturë të tërë programesh të rëndësishme për jetën e shqiptarëve”, tha Kurti.
Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj asaj që e cilësoi si diskriminim sistematik, duke thënë se parimet evropiane për sundimin e ligjit, barazinë dhe mosdiskriminimin duhet të vlejnë edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai tha se Kosova do të vazhdojë ta dokumentojë dhe ndërkombëtarizojë këtë çështje, në mënyrë që ajo të adresohet edhe në Bruksel, Uashington dhe Strasburg.























