| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Zjarret në Spanjë përfshijnë afër 25 mijë hektarë, preken mbi 60 mijë njerëz
Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, zjarret në Madrid dhe Avila kanë djegur tashmë afër 25 mijë hektarë.
Zjarret në Spanjë përfshijnë afër 25 mijë hektarë, preken mbi 60 mijë njerëz
Zjarret në Spanjë përfshijnë afër 25 mijë hektarë, preken mbi 60 mijë njerëz

 Zjarret e vazhdueshme në Komunitetin e Madridit dhe provincën Avila në Spanjë kanë djegur afër 25 mijë hektarë dhe kanë prekur më shumë se 63 mijë njerëz.

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, zjarret në Madrid dhe Avila kanë djegur tashmë afër 25 mijë hektarë.

Në Avila janë djegur rreth 13.000 deri në 15.000 hektarë, ndërsa sipërfaqja e djegur në Madrid arrin në 9.940 hektarë.

Dy zjarret kanë prekur më shumë se 63 mijë njerëz, me mbi 30 mijë persona të evakuuar dhe më shumë se 20 mijë të tjerë të urdhëruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre në Madrid. Në Avila, 5.150 persona janë evakuuar, ndërsa 8.635 të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre.

Gjatë vizitës në zonat e prekura, kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se situata me zjarret mbetet komplekse.

“Nuk e dimë se si do të zhvillohet era, edhe pse temperaturat kanë rënë”, tha ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu se që nga janari janë djegur rreth 130 mijë hektarë, krahasuar me një mesatare prej 100 mijë hektarësh për të gjithë vitin gjatë dekadës së fundit.

Rreth 100 punonjës të Kompleksit të Komunikimeve në Hapësirë të Thellë të NASA-s në Madrid u desh të evakuoheshin të premten për shkak të përparimit të flakëve.

Sipas të dhënave të raportuara nga El Pais, numri i hektarëve të djegur në Spanjë gjatë dy javëve të fundit është rritur ndjeshëm, pasi zjarret janë përhapur me shpejtësi dhe janë përqendruar në zona të caktuara.

Dy javët e fundit të korrikut raportohet se përbëjnë periudhën e katërt më të rëndë me zjarre të mëdha pyjore që nga viti 1983.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë