Forcat e Armatosura Turke: Baza Ajrore e Incirlikut mbetet nën kontrollin e plotë të Türkiyes
Türkiye thekson sovranitetin e saj mbi Bazën Ajrore të Incirlikut, ku të gjitha operacionet, përfshirë aktivitetet e NATO-s dhe aleatëve, kryhen sipas ligjit kombëtar dhe mbikëqyrjes turke.
Forcat e Armatosura të Türkiyes deklaruan se Baza Ajrore e Incirlikut mbetet një objekt turk nën pronësinë e Republikës së Türkiyes dhe nën kontrollin e Forcave të Armatosura Turke. “Të gjitha aktivitetet kryhen në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe të drejtat sovrane të Türkiyes”, thuhet në një deklaratë të lëshuar këtë të mërkurë.
“Baza, e cila ndodhet në provincën e Adanasë dhe vepron nën Komandën 10. Kryesore të Aviacionit Luftarak të Forcave Ajrore Turke, strehon një sërë mjetesh ajrore, duke përfshirë avionë për furnizim me karburant në fluturim, avionë luftarakë, helikopterë për qëllime të përgjithshme dhe mjete ajrore pa pilotë (dronë)”, shtohet në deklaratë.
Ajo thekson gjithashtu se të gjitha objektet në bazë janë pronë e Türkiyes dhe të gjitha operacionet kryhen nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e autoriteteve turke, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat Türkiye është palë.
Historiku i Bazës
Ndërtimi i Bazës Ajrore të Incirlikut filloi në vitin 1951, pas vendimeve të marra në Konferencën 2. të Kajros në vitin 1943, ndërsa objekti u përfundua në vitin 1954. Përdorimi operativ i saj nisi pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Objektet Ushtarake, më 23 qershor 1954.
Pas Operacionit të Paqes në Qipro në vitin 1974 dhe një embargoje të mëvonshme armësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Türkiyes, i gjithë aktiviteti ushtarak amerikan në Incirlik dhe Çiğli (Izmir), me përjashtim të operacioneve të NATO-s, u ndërpre në vitin 1975. Pasi embargoja u hoq nga Kongresi i ShBA-së në shtator 1978, rifilluan edhe operacionet ushtarake amerikane në Türkiye.
Kuadri ligjor dhe prania e huaj
Në deklaratë shpjegohet më tej se kuadri ligjor që rregullon marrëdhëniet ushtarake midis Türkiyes dhe ShBA-së u rishikua me Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Mbrojtjen dhe Ekonominë (SEIA), nënshkruar më 29 mars 1980. Kjo marrëveshje zëvendësoi atë të mëparshmen dhe përcaktoi kushtet e përdorimit të bazës.
Sipas deklaratës, Baza Ajrore e Incirlikut mund të mbështesë misionet e NATO-s, marrëveshjet dypalëshe dhe operacionet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku e gjithë siguria dhe kontrolli i përgjithshëm mbeten nën autoritetet turke. Çdo personel i huaj, pajisje ose përdorim i objekteve është me dijeninë dhe miratimin e Türkiyes.
Në deklaratë vërehet se, në përputhje me NATO-n dhe marrëveshjet dypalëshe, në Incirlik janë të stacionuar personel ushtarak nga ShBA-ja, Spanja, Polonia dhe Katari, të cilët kryejnë misione që përfshijnë mbrojtjen ajrore, mbështetjen e komunikimit dhe atë të shërbimit luftarak si pjesë e garancive të sigurisë së Aleancës për Türkiyen.