Irani kërcënon me ndërprerje "për vite me radhë" të furnizimeve me naftë dhe gaz
"Ne do ta dëmtojmë infrastrukturën e Amerikës dhe partnerëve të saj, gjë që do t'i privojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nga nafta dhe gazi në rajon për vite me radhë", kërcënoi IRGC.
Irani paralajmëroi të martën se mund t’i ndërpresë furnizimet me naftë dhe gaz në rajon "për vite me radhë" nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) sulmojnë infrastrukturën civile të vendit.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se do të hakmerret përtej rajonit nëse kalohet ajo që e quajti "vijat e kuqe".
"Ne do ta dëmtojmë infrastrukturën e Amerikës dhe partnerëve të saj, gjë që do t'i privojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nga nafta dhe gazi në rajon për vite me radhë", kërcënoi IRGC.
IRGC tha se Irani deri më tani ka ushtruar përmbajtje në përgjigjet e tij, duke përmendur konsiderata që lidhen me fqinjësinë e mirë. "Por, të gjitha këto konsiderata tani mund të anulohen", shtoi ajo.
Deklarata vuri në dukje se Irani nuk ka filluar sulme ndaj objektivave civile, por do t'u përgjigjet sulmeve ndaj infrastrukturës së vet civile.
Thirrja erdhi pasi presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kërcënoi t’i bombardojë termocentralet dhe urar nëpër Iran nëse Teherani nuk do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe të arrijë një marrëveshje deri të martën në mbrëmje.
Përshkallëzimet rajonale kanë vazhduar të shtohen që kur Izraeli dhe ShBA-ja nisën një ofensivë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.340 njerëz, përfshirë ish-udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Autoritetet iraniane nuk e kanë përditësuar numrin e viktimave ditët e fundit.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë dhe duke ndikuar në tregjet dhe aviacionin global.