| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Studentët sërish në protestë në Shkup për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe
Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, në fjalën e tij para Ministrisë së Drejtësisë tha se ata kërkojnë vetëm një gjë, “të drejtën për të folur shqip”.
Studentët sërish në protestë në Shkup për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe
Studentët sërish në protestë në Shkup për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe / TRT Balkan

Studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut sërish kanë mbajtur një protestë në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Mijëra protestues u tubuan para Urës së Gurit në Shkup, me moton “Bashkohuni me studentët - të gjithë një zë”, duke vazhduar drejt sheshit "Maqedonia” dhe përfundoi para ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë, ku organizatorët theksuan kërkesën për garantimin e së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.

Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, në fjalën e tij para Ministrisë së Drejtësisë tha se ata kërkojnë vetëm një gjë, “të drejtën për të folur shqip”. Sipas tij, kjo nuk është kërkesë për privilegje, por për të drejta të fituara dhe të garantuara, që nuk mund të kufizohen nga institucionet.

“Kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë. Ky nuk është privilegj, por është e drejtë kushtetuese e këtij vendi, e drejtë e fituar me Marrëveshjen e Ohrit, e drejta që nuk varet nga humori i një ministri, politike apo një partie”, tha Mevlani.

Kjo është e drejtë sepse ne kemi qenë këtu. Edhe sa kohë duhet të presë një shqiptar për të dhënë provimin në gjuhën e tij, për të ushtruar profesionin në gjuhën e tij.

Kjo protestë vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe nismash studentore, përfshirë edhe protestën e ngjashme të 6 prillit të këtij viti në Shkup, kur mijëra studentë dhe qytetarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit edhe në gjuhën shqipe.

Koalicioni VLEN ka deklaruar se që nga fillimi e mbështet kërkesën e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

“Me të njëjtin seriozitet po veprojmë edhe për këtë çështje. E respektojmë protestën, por jemi fuqishëm kundër tentimeve për instrumentalizim politik të saj”, theksuan nga koaliconi VLEN, ku shtohet se çështja po trajtohet me përgjegjësi dhe seriozitet.

Para protestës, në qeveri u mbajt edhe një takim mes kryeministrit, Hristijan Mickoski dhe bashkëkryetarëve të VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, ku është diskutuar kërkesa e studentëve. Pas takimit, qeveria njoftoi se në takim është theksuar se zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të matur dhe dinjitoze, duke theksuar se arsimi dhe dija përbëjnë themelin e një shteti bashkëkohor.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka vazhduar të mbajë qëndrimin se provimi i jurisprudencës nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.

Këto protesta të studentëve shqiptarë vijnë pasi çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe u ngrit nga 385 studentë të fakulteteve juridike në Universitetin e Tetovës, Universitetin e Evropës Juglindore dhe Universitetin Nënë Tereza, të cilët përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe, respektivisht në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç theksojnë kjo është e drejtë e garantuar me ligj.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë