| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Tetë të vdekur dhe 15 të plagosur nga shpërthimi i një makine në Nju Delhi të Indisë
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Delhit, pas shpërthimit, automjete të tjera përreth morën flakë dhe pësuan dëmtime. Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit.
Tetë të vdekur dhe 15 të plagosur nga shpërthimi i një makine në Nju Delhi të Indisë
Tetë të vdekur dhe 15 të plagosur nga shpërthimi i një makine në Nju Delhi të Indisë / AP
10 Nëntor 2025

Të paktën tetë persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën rëndë pas një shpërthimi në kryeqytetin indian, Nju Delhi, të hënën, raportuan mediat shtetërore.

“Tetë persona raportohet se kanë vdekur në një shpërthim makine pranë Fortes së Kuqe. Operacionet e shpëtimit janë në zhvillim”, raportoi televizioni shtetëror Doordarshan News, duke iu referuar strukturës historike mogule.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 18:52 me orën lokale (01:22 GMT).

Pas shpërthimit, 15 persona të tjerë të plagosur rëndë u dërguan në spitalin Lok Nayak Jaya Prakash.

Kryeministri Narendra Modi raportohet se është informuar për situatën gjatë një telefonate me ministrin e Brendshëm, Amit Shah.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Delhit, pas shpërthimit, automjete të tjera përreth morën flakë dhe pësuan dëmtime.

“Në vendngjarje ndodhen skuadra e qenve gjurmues, ekipi i ekspertëve forenzikë dhe Policia e Delhit, ndërsa hetimet po vazhdojnë”, thuhet në raport.

Komisioneri i Policisë së Delhit, Satish Golcha, u tha gazetarëve në vendngjarje se shpërthimi erdhi nga një automjet që po lëvizte ngadalë dhe ishte ndalur në semafor.

Banorët e zonës thanë se dëgjuan “një zhurmë shumë të fortë” në momentin e shpërthimit.

Pas incidentit, në Delhi u shpall gjendje alarmi. 

Shkaqet e shpërthimit nuk janë bërë ende të ditura.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë