| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Ministri izraelit i mbrojtjes kërcënon: Qyteti i Gazës do të ketë të njëjtin fat si Beit Hanoun
Më 11 korrik, Katz shpërndau një imazh ajror që tregonte Beit Hanounin të rrafshuar nga bombardimet izraelite, duke u mburrur: “Pas Rafahut në jug, Beit Hanoun”.
Ministri izraelit i mbrojtjes kërcënon: Qyteti i Gazës do të ketë të njëjtin fat si Beit Hanoun
Ministri izraelit i mbrojtjes kërcënon: Qyteti i Gazës do të ketë të njëjtin fat si Beit Hanoun / Reuters
21 Gusht 2025

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, kërcënoi të enjten se do ta shndërrojë Qytetin e Gazës në rrënoja, njësoj si qytetin verior Beit Hanoun, ndërsa ushtria zgjeron ofensivën për të pushtuar territorin.

“Gaza do të duket si Beit Hanoun”, e citoi Katz-in Channel 12 gjatë një takimi me rabinët e partisë së djathtë ekstreme Religious Zionism.

Më 11 korrik, Katz shpërndau një imazh ajror që tregonte Beit Hanounin të rrafshuar nga bombardimet izraelite, duke u mburrur: “Pas Rafahut në jug, Beit Hanoun.”

Në qershor 2024, autoritetet palestineze e shpallën Beit Hanoun një “zonë katastrofe” për shkak të shkatërrimeve masive të shkaktuara nga sulmet izraelite.

Edhe Rafahu më herët ishte shkatërruar plotësisht nga ushtria izraelite.

Partia Religious Zionism, e udhëhequr nga ministri i Financave Bezalel Smotrich, prej kohësh ka bërë thirrje për shkatërrimin e Gazës, zhvendosjen e palestinezëve dhe ngritjen e vendbanimeve të paligjshme në territor.

Kërcënimi i ministrit të mbrojtjes erdhi një ditë pasi ai miratoi një plan për të pushtuar Gazën. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet ta mbështesë planin, pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësimit dhe një propozimi për armëpushim që është pranuar nga Hamasi.

Plani parashikon zhvendosjen me forcë të afro 1 milion palestinezëve drejt jugut, rrethimin e qytetit dhe kryerjen e inkursioneve tokësore në lagjet rezidenciale.

Më 11 gusht, si pjesë e hapave të parë, ushtria izraelite nisi një sulm të gjerë në lagjen Zeitoun në juglindje të Gazës. Dëshmitarët thanë se operacioni përfshiu shpërthimin e shtëpive me robotë të mbushur me eksplozivë, zjarr artilerie, të shtëna dhe zhvendosje masive.

Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë gati 62.200 palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila tashmë po përballet me uri ekstreme.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë