| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Fidan: Marrëdhëniet Erdoğan-Trump mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve brenda NATO-s
Duke tërhequr vëmendjen se marrëdhëniet mes presidenti turk Erdoğan dhe presidentit amerikan Trump mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve brenda NATO-s, Fidan tha se për Trumpin kjo është çështje besimi dhe miqësie.
Fidan: Marrëdhëniet Erdoğan-Trump mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve brenda NATO-s
Fidan: Marrëdhëniet Erdoğan-Trump mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve brenda NATO-s

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se, në kuadër të Samitit të NATO-s në Ankara, do të përpiqen t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet brenda Aleancës duke i shfrytëzuar marrëdhëniet e afërta mes presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Fidan dha një intervistë për gazetën New York Times (NYT) para Samitit të NATO-s në Ankara. Ministri tha se, në kuadër të Samitit që do të mbahet në Türkiye, do të përpiqen t’i kapërcejnë dallimet brenda Aleancës duke u mbështetur në marrëdhëniet e afërta mes presidentit Erdoğan dhe presidentit Trump.

Duke tërhequr vëmendjen se marrëdhëniet mes Erdoğanit dhe Trumpit mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve brenda NATO-s, Fidan tha se për Trumpin kjo është çështje besimi dhe miqësie.

Ai theksoi se Türkiye synon ta përdorë këtë miqësi për një të mirë më të madhe dhe në dobi të gjithë familjes së NATO-s.

Bisedimet teknike në NATO të zhvillohen pa probleme

Lidhur me kritikat e Trumpit ndaj NATO-s, Fidan tha se pret që bisedimet teknike në kuadër të Samitit të NATO-s në Ankara të zhvillohen pa probleme.

“Nuk shoh asnjë problem në këtë drejtim,” vlerësoi ai.

Fidan shtoi se, megjithëse ka shumë shkëmbime deklaratash, në praktikë nuk ka ndryshuar asgjë.

Türkiye, pjesë e Evropës

Ministri Fidan theksoi se ekziston një mirëkuptim mes Türkiyes dhe vendeve të tjera evropiane për rëndësinë e Aleancës.

“Askush nuk e vë në diskutim domosdoshmërinë e NATO-s,” tha ai.

Ai theksoi se rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes brenda Bashkimit Evropian nuk bie ndesh me angazhimet e vendeve evropiane ndaj NATO-s, duke shtuar se Türkiye dhe Evropa duhet ta shohin njëra-tjetrën si jetike për sigurinë e tyre kolektive.

“Edhe ne jemi pjesë e Evropës dhe, për sa kohë që nuk bashkohemi në hapësirën evropiane dhe nuk krijojmë platformën tonë të përbashkët të sigurisë, nuk do të ndihemi kurrë mjaftueshëm të sigurt", tha Fidan.

Lidhur me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes ShBA-së dhe Iranit, Fidan u shpreh se, “nga pikëpamja e vullnetit politik, të dyja palët janë shumë serioze për sa i përket objektivave përfundimtare".

Ai shtoi se memorandumi lë për bisedimet e ardhshme shumë çështje të diskutueshme, përfshirë programin bërthamor të Iranit, heqjen e sanksioneve ndaj Teheranit dhe kalimet në Ngushticën e Hormuzit.

Situata në luftën Rusi-Ukrainë


Fidan theksoi se Türkiye është e gatshme të ndërmjetësojë bisedime të reja për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, por nuk pret që kjo të ndodhë së shpejti.

Ai tha se Rusia dhe Ukraina janë të gatshme të zhvillojnë bisedime dhe negociata, por procesi ka nevojë për ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri Fidan nënvizoi se për Ankaranë është thelbësore që të dyja palët të kenë “qëllim dhe përpjekje të vërteta e të sinqerta” për paqen.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë