Duke filluar nga e hëna, Policia e Shtetit do të ndërmarrë një operacion kombëtar për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike, si pjesë e masave për rritjen e sigurisë publike.
Vendimi u bë i ditur nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, të cilët prezantuan rregullat e reja lidhur me sigurinë në përdorimin e këtyre mjeteve.
Ministrja Koçiu deklaroi se institucionet kanë marrë një sërë ankesash nga qytetarët për rrezikun që paraqesin monopatinat elektrike, sidomos për të miturit, të moshuarit dhe vetë përdoruesit e tyre.
Vetëm gjatë vitit 2024, sipas Policisë së Shtetit, janë regjistruar 991 aksidente me këto mjete, mes këtyre rasteve ka pasur edhe fatalitete, si dhe dëmtime shumë të rënda.
Për të adresuar këtë rrezik, Proda, njoftoi se është përcaktuar edhe një procedurë standarde bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit, duke ndëshkuar drejtuesit e mjeteve dhe përdorimin e këtyre mjeteve në rrugë urbane edhe troturare dhe duke arritur deri në bllokim administrativ të këtyre mjeteve.
Koçiu tha se nisur nga e hëna do të ndalohet qarkullimi i tyre deri në një njoftim të dytë të detajuar, ku do të qartësohen korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar.
“Gjithashtu, dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën si një mënyrë biznesi, për dhënien me qira ditore, duhet t’a kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet!”, bëri thirrje ministrja. “Lejimi, do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve”, shtoi ajo.
Shqipëria nuk është i vetmi vend që është përballur me këtë situatë. Franca, Italia, Gjermania, në rajon Maqedonia e Veriut, e shumë vende të tjera kanë marrë masa për ndalim të përhershëm apo të pjesshëm.



























