Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, u takua të enjten me homologun e tij rus, Sergey Llavrov, në margjinat e samitit të Konferencës për Ndërveprim dhe Masa të Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA), që po mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
Më vonë, Fidan u prit nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në margjinat e samitit, sipas burimeve diplomatike.
Samiti njëditor i së enjtes, i organizuar nga Azerbajxhani në cilësinë e kryesuesit aktual të CICA-s, ka mbledhur përfaqësues të shteteve anëtare, vendeve vëzhguese dhe organizatave partnere ndërkombëtare.
Diskutimet pritet të përqendrohen te bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja, digjitalizimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, nën kryesimin e Azerbajxhanit.
Në samit pritet të miratohet Deklarata e Bakusë dhe një deklaratë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe të njoftohet anëtarësimi i Laosit si anëtar i ri.





















