TMV-ja shënoi Ditën e Miratimit të Himnit Kombëtar Turk
“Me qëllim që beteja për pavarësi të fitohej me shpirt kombëtar, himni u miratua nga Asambleja e Madhe Kombëtare e Türkiyes më 12 mars 1921, duke u bërë simbol i luftës sonë kombëtare”.
Nën organizimin e shkollave të Fondacionit Turk "Maarif" (TMV) në Maqedoninë e Veriut, në kampusin shkollor në Tetovë u mbajt një eveniment me të cilin u shënua 12 Marsi - Dita e Miratimit të Himnit Kombëtar Turk dhe Dita e Kujtimit të poetit të atdheut, Mehmet Akif Ersoy.
Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori turk në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoy, profesorë universitarë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend, si dhe nxënës të shumtë të shkollave "Maarif", të cilët me një program të përshtatshëm të titulluar "Mos u frikëso, shpirti i rinisë është këtu", shënuan Ditën e Himnit Kombëtar Turk.
Në fillim të manifestimit, të pranishmëve iu drejtua përfaqësuesi i TMV-së në Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgul, i cili shprehu kënaqësinë e tij për organizimin e këtij evenimenti në nderim të ditës kur u pranua himni kombëtar turk, si dhe ditës kur kujtohet poeti Mehmet Akif Ersoy.
Fjalim para të pranishmëve mbajti edhe drejtori ekzekutiv i Halkbank në vend, dr. Fatih Shahbaz.
Në fjalën e tij, ambasadori Ulusoy kujtoi se himni kombëtar turk u shkrua nga Mehmet Akif 105 vjet më parë, duke shtuar se kjo ishte një "periudhë kur kombi dhe ushtria jonë, nën udhëheqjen e Gazi Mustafa Kemal, ishin përfshirë në një luftë për mbijetesë."
“Himni u shkrua si pjesë e një konkursi të organizuar nga Ministria e Arsimit e asaj kohe. Me qëllim që beteja për pavarësi të fitohej me shpirt kombëtar, himni u miratua nga Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë më 12 mars 1921, duke u bërë simbol i luftës sonë kombëtare. Himni ynë përfaqësonte një burim motivimi të veçantë për popullin tonë, i cili përkundër të gjitha vështirësive u mobilizua për të shpëtuar atdheun e tij. Madje, ky himn sot është himni kombëtar i Republikës së Turqisë dhe i Republikës Turke të Qipros Veriore, ndërsa Mehmet Akif njihet si poeti i atdheut”, theksoi Ulusoy.
Duke u drejtuar nxënësve, Ulusoy tha se himni “nuk i referohet vetëm popullit turk, por ai paraqet një mesazh për të gjithë popujt, sovraniteti kombëtar i të cilëve kërcënohet dhe ndaj të cilëve bëhen përpjekje për të cenuar integritetin e tyre territorial.”
“Është një mesazh që fillon me fjalën ‘mos u frikëso’ dhe përfundon me kujtesën se pavarësia është një e drejtë”, shtoi Ulusoy.
Ai tha se edhe pse kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga ajo periudhë, këto kërcënime mbeten aktuale edhe sot për shumë vende të botës.
“Prandaj, tema e shënimit të sivjetmë ‘Mos u frikëso, shpirti i rinisë është këtu’ është shumë simbolike dhe domethënëse. Veçanërisht më gëzon dhe na bën krenarë që të rinjtë treguan interes të madh për temat figurative dhe esetë me temë ‘Mos u frikëso, shpirti i rinisë është këtu’, të organizuara nga shkollat Maarif, të cilat në radhët e tyre bashkojnë të rinj të kombësive të ndryshme”, tha Ulusoy.
Ndër të tjera, ai theksoi se janë pikërisht të rinjtë ata që do ta ruajnë pavarësinë dhe se rinia do të qëndrojë e fortë përballë të gjitha kërcënimeve.
“Me shpirtin e rinisë që na jep forcë, flamujt tanë do të vazhdojnë të valëviten me krenari. I falënderoj të gjithë nxënësit që morën pjesë në konkurs, ndërsa u përcjell urime të gjithë fituesve të çmimeve. Me respekt dhe mirënjohje kujtojmë poetin tonë të atdheut”, potencoi Ulusoy.
Pas fjalimeve, vijoi një program kulturor i përgatitur nga nxënësit e shkollave të Fondacionit Turk "Maarif" (TMV), ndërsa në fund fituesve të konkursit figurativ dhe letrar iu ndanë çmime dhe mirënjohje.