Risi botërore: Dy KIZILELMA kryejnë fluturim autonom pa pilot

Dy prototipe të ndryshme të KIZILELMA-s u ngritën në ajër dhe, falë algoritmeve të zhvilluara nga ekipi i Baykarit, kryen manovra të sinkronizuara duke ruajtur autonomisht formacionin e fluturimit.

By
Risi botërore: Dy KIZILELMA kryejnë fluturim autonom pa pilot / TRT Balkan

Dy avionë luftarakë pa pilot të modelit Bayraktar KIZILELMA realizuan për herë të parë në botë një fluturim të koordinuar autonom “në formacion të afërt”, gjatë një testi për aftësinë e flotës inteligjente, bëri të ditur kompania turke Baykar. 

Testi u zhvillua në Qendrën e Trajnimit dhe Testimit të Fluturimeve AKINCI në Çorlu, ku dy prototipe të ndryshme të KIZILELMA-s u ngritën në ajër dhe, falë algoritmeve të zhvilluara nga ekipi i Baykarit, kryen manovra të sinkronizuara duke ruajtur autonomisht formacionin e fluturimit. Ky moment është vlerësuar si një hap i rëndësishëm në historinë e aviacionit botëror.

Sipas kompanisë, zhvillimi i kësaj teknologjie synon që detyra të ndërlikuara ajrore, të cilat zakonisht kryhen nga avionë të pilotuar, t’u kalohen sistemeve autonome që mund të veprojnë si flotë nën një udhëheqje të vetme dhe të përshtatin automatikisht pozicionet e tyre në ajër.

Gjatë testit u provua edhe misioni “CAP – Hava Devriyesi” (Patrullim Ajror Luftarak), një element thelbësor i mbrojtjes moderne ajrore. Prototipet e KIZILELMA-s kryen patrullime në një rrugë të paracaktuar, duke demonstruar se këto detyra mund të realizohen në të ardhmen nga flotat e avionëve pa pilot.

Baykar theksoi se KIZILELMA është zhvilluar tërësisht me burime vendase dhe se sistemi i flotës inteligjente do të evoluojë më tej për të mundësuar operacione të koordinuara me platforma të shumta. Më herët, në një test historik të zhvilluar më 29 nëntor, KIZILELMA kishte shënuar një tjetër arritje duke goditur me saktësi një objektiv ajror me raketë GOKDOGAN të drejtuar nga radari MURAD AESA.

Duke reaguar pas testit, Kryetari i Bordit të Baykarit, Selçuk Bayraktar, tha në rrjetet sociale: “Për herë të parë në botë! Dy avionë luftarakë pa pilot realizuan me sukses fluturimin autonom në formacion të afërt”.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Baykarit, Haluk Bayraktar, theksoi se kompania synon të jetë “jo kopjuese, por novatore dhe e ndjekur nga të tjerët”.

Baykar është ndër kompanitë më të mëdha në botë në fushën e mjeteve ajrore pa pilot dhe deri tani ka nënshkruar marrëveshje eksporti me dhjetëra vende për platformat e saj si Bayraktar TB2 dhe Bayraktar AKINCI.