Në varrezat e Hajvalisë, në Komunën e Prishtinës, janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se janë të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në raportimin 24-orësh të Policisë së Kosovës u bë e ditur se gërmimet në këtë zonë do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, në kërkim të mbetjeve të tjera mortore.
“Njësitet policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës për gërmim në varrezat e fshatit Hajvali, me ç’rast kanë gjetur mbetje eshtërore të njeriut, që dyshohet të jenë të paktën të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1998-1999”, thuhet në njoftim.
Njoftohet se mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë njerëz, ndërsa mbi 1.500 vazhdojnë të jenë të zhdukur.























