Përleshje gjatë një proteste në Torino kundër mbylljes së një qendre sociale, plagosen 29 policë

Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi “sulmet e dhunshme të drejtuara kundër shtetit dhe atyre që e përfaqësojnë”.

By
Përleshje gjatë një proteste në Torino kundër mbylljes së një qendre sociale, plagosen 29 policë / Reuters

Përleshje të dhunshme shpërthyen të shtunën mbrëma në qytetin verior italian Torino, gjatë një demonstrimi në mbështetje të qendrës sociale Askatasuna, duke lënë të paktën 29 efektivë të rendit të plagosur dhe duke nxitur dënime të forta nga udhëheqja politike e Italisë, sipas mediave lokale.

Autoritetet italiane thanë se të paktën 29 policë u dërguan për trajtim spitalor pas trazirave të së shtunës vonë, përfshirë një efektiv që u rrethua dhe u rrah me shkelma, grushte dhe goditje me çekiç gjatë përleshjeve, raportoi Rai News.

Një polic pësoi disa mavijosje dhe një plagë në kofshën e majtë që kërkoi qepje; ai mbetet i shtruar në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Dhuna shpërtheu në fund të një marshimi kombëtar kundër dëbimit të Askatasuna-s në dhjetor, një qendër sociale e zënë për gati 30 vjet. Ndërsa protesta fillimisht u zhvillua paqësisht, grupe personash të maskuar thuhet se u shkëputën pas rënies së natës dhe tentuan të çanin kordonët e policisë në lagjen Vanchiglia.

Policia njoftoi se protestuesit hodhën shishe, gurë, mjete artizanale ndezëse dhe bomba tymuese, i vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe një mjeti të blinduar policie, si dhe përdorën mobilie urbane dhe shtylla ndriçimi të shkulura si armë.

Forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës, topa uji dhe ndërhyrje për shpërndarjen e turmës gjatë përleshjeve që zgjatën më shumë se një orë.

Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi atë që e quajti “sulme të dhunshme të drejtuara kundër shtetit dhe atyre që e përfaqësojnë”, duke shtuar: “Pamjet e policit të sulmuar flasin vetë: nuk kemi të bëjmë me protestues, por me individë që veprojnë si armiq të shtetit.”

Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi i quajti protestuesit “rrezik për demokracinë”, duke akuzuar pjesë të së majtës politike se “mbulojnë” grupet e dhunshme, dhe tha se ngjarjet konfirmojnë nevojën për masa më të ashpra sigurie.

Komandanti i karabinierëve (xhandarmërisë), gjenerallejtënant Salvatore Luongo, e përshkroi sulmin si “një sulm ndaj shtetit”, duke thënë se dhuna ndaj forcave të rendit përbën sulm ndaj rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve.

Përleshjet kanë rindezur debatin mbi sigurinë publike dhe menaxhimin e protestave në Itali. Figura të larta të koalicionit qeverisës, përfshirë zëvendëskryeministrin Matteo Salvini, akuzuan grupet e majta për legjitimimin e sjelljes së dhunshme dhe bënë thirrje për përshpejtimin e arrestimeve, dëbimin e qendrave sociale të zëna dhe miratimin e një pakete të re sigurie.

Piantedosi tha se qeveria planifikon të diskutojë rregullore të reja javën e ardhshme, përfshirë rikthimin e mundshëm të ndalimit parandalues policor për persona të konsideruar të rrezikshëm gjatë demonstratave.

Policia vlerëson se në marshim morën pjesë rreth 15 mijë persona, ndërsa organizatorët pretendojnë deri në 50 mijë. Marshimi mblodhi sindikata bazë, aktivistë nga qendra sociale në mbarë Italinë dhe figura publike.

Të paktën dy persona u arrestuan gjatë përleshjeve, ndërsa disa të tjerë u morën në pyetje nga policia. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar të përfshirët në sulmin ndaj policit dhe në dhunën më të gjerë.