Drejtori ekzekutiv i Metas, Mark Zuckerberg, bëri thirrje të hënën që inteligjenca artificiale e avancuar të shpërndahet gjerësisht, duke paralajmëruar se përqendrimi i superinteligjencës në duart e pak kompanive, qeverive apo institucioneve të tjera mund të paraqesë rreziqe të mëdha.
Në një letër të titulluar “E ardhmja u përket të gjithëve: Rruga drejt një të ardhmeje pozitive me IA”, Zuckerberg tha se superinteligjenca duhet, para së gjithash, të zgjerojë aftësinë e njerëzve për të krijuar, zbuluar dhe zgjidhur probleme, e jo thjesht të automatizojë punët ekzistuese.
“Ne propozojmë një filozofi të bazuar në fuqizimin e individit si burim i mirëqenies, në shpikjen si qëllimi kryesor i superinteligjencës dhe në ekuilibrin e pushtetit si themeli i sigurisë”, shkroi ai.
Zuckerberg argumentoi se asnjë sistem i vetëm superinteligjent nuk mund të pasqyrojë vlerat dhe interesat e ndryshme, shpesh konkurruese, të njerëzimit. Në vend të kësaj, ai propozoi shpërndarjen e gjerë të inteligjencës artificiale të avancuar, në mënyrë që individët, bizneset, qeveritë dhe sistemet e ndryshme të IA-së të mund të mbajnë nën kontroll njëri-tjetrin.
“Çelësi për një të ardhme pozitive për të gjithë është arritja e një ekuilibri pushteti që favorizon individët”, tha ai.
Letra u publikua në të njëjtën kohë me prezantimin nga Meta të Muse Glimmer, një model të IA-së me pesha të hapura dhe 30 miliardë parametra të mësuar, i krijuar për të vënë në funksion agjentë lokalë të IA-së në pajisjet e përdoruesve.
Ndryshe nga shumë asistentë të IA-së që funksionojnë përmes sistemeve cloud, ky model mund të përdoret në një kompjuter Mac ose PC me vetëm një procesor grafik të zakonshëm. Ai mund të kryejë detyra me disa hapa pa lidhje interneti, ndërsa të dhënat mbeten në pajisje.
Në letër u rikonfirmua gjithashtu mbështetja e Metas për inteligjencën artificiale me burim të hapur. Zuckerberg tha se kompania do të rifillojë publikimin e disa modeleve të tilla, duke argumentuar se qasja më e gjerë mund të ndihmojë në parandalimin e përqendrimit të tepruar të fuqisë teknologjike dhe ekonomike.
Zuckerberg pranoi rreziqet që lidhen me sigurinë kibernetike, keqpërdorimin biologjik dhe kimik, tronditjet në tregun e punës, mbikëqyrjen nga qeveritë dhe mundësinë që sistemet gjithnjë e më autonome të IA-së t’i shpëtojnë kontrollit njerëzor.
Për të zvogëluar rrezikun afatgjatë të dominimit nga një superinteligjencë e vetme, ai mbështeti ruajtjen e disa sistemeve konkurruese të IA-së dhe sigurimin që pjesa më e madhe e kapaciteteve kompjuterike të vazhdojë të përdoret për realizimin e objektivave të njerëzve.
“Përafrimi duhet t’i ndihmojë njerëzit të ndjekin qëllimet dhe pikëpamjet e shumta e të ndryshme që ekzistojnë në shoqëri, dhe jo të shërbejë si një metodë për imponimin e një dogme të centralizuar”, shkroi ai.
Zuckerberg propozoi gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet qeverive dhe zhvilluesve kryesorë të inteligjencës artificiale për trajtimin e dobësive në infrastrukturën kritike, pa vonuar publikimin e modeleve të reja.
Ai paralajmëroi se ngadalësimi i panevojshëm i zhvillimit të inteligjencës artificiale në ShBA mund të dobësojë epërsinë teknologjike amerikane ndaj rivalëve, përfshirë Kinën, duke paraqitur rreziqe ekonomike dhe për sigurinë kombëtare.























